Sondazh

Foltorja 2 e Berishës braktiset nga njerëzit:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

“Gjelat galezë” në sulm për yllin e tretë në fanellë

schedule12:38 - 14 Dhjetor, 2022

schedule 12:38 - 14 Dhjetor, 2022

analizë nga Isildo Musta

Për të 7-tën herë, në histori, Franca arriti deri në fazën gjysmë-finale të një Kupe Bote. Një gol i herëshëm i Aurelien Tchouameni, në minutën e 17’ të lojës, pas një goditjeje potente nga 25 metra largësi dhe një gjetje perfekte e kohës në ajër nga Olivier Giroud i dhuruan fitoren 2 me 1, në një përballje të vuajtur përballë Anglisë, ku “shpëtuan” nga ajo penallti e humbur e Harry Kane, në fund të lojës.

Në gjysmë-finale, 2 herë fituesit e Kupës së Botës do të kenë përballë tyre Marokun e “ëndrrave”, të Walid Regraguit, të cilët janë duke kaluar formën më të mirë të jetës së tyre, në një rrugëtim ku kanë eleminuar 3 ekipe elitare deri më tani si Belgjika, Spanja dhe së fundmi në çerek-finale, një nga pretendentet kryesore për fitimin e “Katar 2022”, Portugalinë e Cristiano Ronaldos.

Megjithatë, kampionët në fuqi të Botës duket se janë në formën e duhur, për të gjetur sërish rrugën drejt trofeut më prestigjoz në sportin e futbollit, për të dytën herë rradhazi pas asaj fitoreje magjike në finalen e “Rusi 2018”, 4 me 2, ndaj Kroacisë.

Didier Deschamps ka fatin të ketë në ekipin e tij një ndër lojtarët më të mirë në Botë, momentalisht, anësorin e sulmit të Paris Saint German, Kylian Mbappe, i cili deri më tani ka shkëlqyer në Katar, duke arritur të gjejë 5 herë rrugën e rrjetës dhe të asistojë 2 herë të tjera, në ndihmë të sulmit të “bluve”. Mbappe deri më tani ka shënuar 9 gola në Kupën e Botës, në vetëm 12 paraqitje, duke kaluar legjenda të futbollit francez, si Thierry Henry (6 gola) dhe Zinedine Zidane (5 gola).

Përveç Mbappe, sulmi i Francës ka kualitet dhe potencë, ku në krye të sulmit është vendosur Olivier Giroud, me sulmuesin shtatlartë të Milanit, që këtë Botëror arriti të “kurorëzohej”, si golashënuesi më i mirë në histori të kombëtares së “gjelave” me 53 gola, 1 më shumë se Thierry Henry. Në ndihmë të sulmit është gjithashtu dhe Antoine Griezmmann, i cili duket sikur ka “rilindur” në Katar, ku momentalisht është lojtari i dytë me më shumë raste të krijuara, më konkretisht 17-të, të tilla.

Në mesfushë një Adrien Rabiot, i cili po kalon periudhën më të mirë të karrierës së tij. I fortë në mbrojtje dhe shpërthyes në mesfushë, mesfushori i Juventus është kthyer në një lider në organizimin e lojës së “bluve”. Në mbështetje të Rabiot vjen një ndër “top-talentet” e mesfushës franceze, “kollosi” i Real Madrid, Aurelien Tchouameni, i cili e ndihmoi shumë Francën me atë goditje potente në fitoren 2 me 1 ndaj Anglisë.

Çdo repart i francezëve është i mbushur me “yje”, kështu që dhe mbrojtja nuk zhgënjen. Në krahun e majtë të mbrojtjes është i vendosur “asi” i Milanit, Theo Hernandez, ku me shpërthimet e tij të sprintit ndihmon ekipin në mbrojtje, por dhe me sulme të befasishme. Në krahun e djathtë është vendosur Kounde, 25-vjeçari i Barcelonës, i cili me lojën e tij trup më trup është thuajse i pakalueshëm.

Upamecano dhe Varane plotësojnë “zinxhirin” e hekurt që mban portën franceze të sigurtë, ku të dy bashkë kanë krijuar një partneritet të fortë, me fituesin e Kupës së Botës në Rusi, që i jep besimin dhe vlerësimin e një veterani, Upamecanos, i cili po kalon një Botëror fantastik.

Në portë, si përherë është i vendosur Hugo Lloris. Kapiteni i “bluve” dhe i Tottenham Hotspurs ka treguar formë mbresëlënëse në këtë Botëror, ku madje ka arritur të vendosë dhe një rekord të ri në kombëtaren franceze, duke shënuar 153 paraqitje me kombëtaren franceze, më shumë se kushdo tjetër në histori të “gjelave”.

Me këtë grup “të artë” lojtarësh, Didier Deschamps duket se do ta ketë të thjeshtë të gjejë rrugën drejt trofeut, të Kupës së Botës, për të dytën herë rradhazi, pavarësisht se Maroku i “ëndrrave” ka treguar se janë të aftë të lënë “kockat” në fushë, për të fituar.

Ndërkaq, në finalen e madhe të 18 dhjetorit, “gjelat” do të përballen me Argjentinën e Lionel Messit, të cilët arritën kualifikimin pas një paraqitje fantastike mbrëmjen e djeshme, ndaj një Kroacie, që ndryshe nga ndeshjet e tjera të luajtuara, dje nuk “bindi”. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!