Bileta për jashtë vendit është edhe një ftesë në kombëtare. Një të tillë pritet ta marrë Albi Doka, mbrojtësi 23-vjeçar që u largua këtë verë nga Tirana për ta vazhduar karrierën në Kroaci. Vlerësimi për futbollistin erdhi shumë shpejt pasi ndërroi Superioren me Ligën e Parë kroate, ku luan me NK Gorica.
Doka luajti pak në ndeshjet e para në Kroaci, por menjëherë shënoi gol në duelin e fituar 5-1 në fushën e Varazdin dhe më pas shërbeu asist për gol në fitoren 2-1 që Gorica arriti sërish jashtë fushe, në stadiumin e Slaven Belupo.
Që nga ajo kohë shqiptari është aktivizuar rregullisht, thuajse gjithnjë me minuta të plota. Trajneri i kombëtares, Edi Reja, sipas burimeve në Federatë, e ka Dokën në planet e tij për ndeshjet e muajit tetor, që do të jenë tre.
Fillimisht, Shqipëria do të luajë një miqësore në 7 tetor në kryeqytetin e Armenisë, Jerevan. Më pas, në 11 luan në Kazakistan për Ligën e Kombeve, dhe po për këtë konkurrim, zhvillon në 14 tetor sfidën e kthimit ndaj Lituanisë, pas humbjes 0-1 të pësuar ndaj lituanezëve në “Arenën Air Albania”. Në Ligën e Kombeve, kombëtarja ka luajtur dy ndeshje dhe ka fituar të parën, 2-0 në Minsk ndaj Bjellorusisë. /abcnews.al