Pas mbërritjes në portin e Shëngjinit, emigrantët që udhëtonin drejt Shqipërisë u mbajtën për rreth 18 orë, përpara se të transferoheshin drejt qendrave të akomodimit në Gjadër.
Gjatë kontrollit, autoritetet identifikuan katër të mitur dhe një të rritur vulnerabël, i cili, pas intervistimit, u konsiderua viktimë trafikimi. Këta persona, dy nga Gambia, një nga Bangladeshi dhe dy nga Bregu i Fildishtë, nuk plotësonin kriteret për qëndrim në qendrën e Gjadrit dhe për këtë arsye u dërguan me të njejtën anije që erdhën për në Qendrën e Azilkërkuesve në Bari.
Ndërkohë, pjesa tjetër e grupit, 44 shtetas, prej të cilëve 36 nga Bangladeshi dhe 8 nga Egjipti, u transferuan drejt qendrës së Gjadrit. Për ta, nga kjo e mërkurë pritet të nisin seancat gjyqësore përmes videokonferencës me Gjykatën e Apelit të Romës, e cila do të shqyrtojë kërkesat e tyre për azil.
Në të njëjtën kohë, prej ditës së martë, në kampin e Gjadrit është rikthyer edhe personeli shqiptar i shërbimit, të cilëve u ishin ndërprerë kontratat pas vendimit të gjykatës për të mos mbajtur më në këtë qendër emigrantët e ardhur në tetor dhe nëntor./abcnews.al