Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, deklaroi se shpreson që Presidenca suedeze e Këshillit të Bashkimi Evropian të ketë rezultate konkrete në bisedat që po bën me anëtarët e tjerë të Unionit në lidhje me aplikimin e Kosovës për në BE.
Këto deklarata, Gërvalla i bëri pas takimit në Bruksel të ministrave të BE-së, ku në Këshillin e Punëve të Jashtme u diskutua për situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Gërvalla tha se në këtë takim e kanë paraqitur qartë pozicionin e Kosovës në lidhje me raportet me Serbinë ndërsa kanë kujtuar se Beogradi zyrtar në vazhdimësi refuzon të zbatojë marrëveshjen e 27 shkurtit të arritur në Bruksel dhe aneksin e saj të 18 marsit në Ohër.
Zëvendëskryeministrja e Kosovës foli edhe për aplikimin e Kosovës në Bashkimin Evropian ku deklaroi se Suedia ende është duke biseduar me shtetet anëtare rreth kësaj kërkese, por tha se ky shtet gjatë presidencës së saj është treguar i gatshëm për të çuar përpara kërkesën e Kosovës.
Gërvalla tha se takimet e tilla ku marrin pjesë edhe ministrat e Jashtëm të Ballkani Perëndimor janë mundësi e mirë për të diskutuar sfidat për të cilat është duke kaluar Evropa dhe rajoni ynë.
Përpos Gërvallës, në këtë takim në Bruksel morën pjesë edhe ministrat e Jashtëm nga pesë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
/KosovaPress/