Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla këtë të enjte ka reaguar në lidhje me shkarkimin e ambasadorëve të emëruar politikisht sipas saj.
Gërvalla në deklaratën e saj u shpreh se presidentja Vjosa Osmani, ka miratuar dekretet për lirimin e ambasadorëve politikë gjatë ditës së djeshme.
“Ministria Punëve të Jashtme dhe Diasporës, i ka propozuar presidentes të miratojë dekretet për lirim nga detyra të gjithë ambasadorët të emëruar politikisht. Presidentja Osmani dje ka nxjerrë dekretet duke vepruar në përputhje me propozimin. Lirimi nga detyra dhe tërheqja e ambasadorëve të emëruar politikisht është bërë në frymën e programit qeverisës të miratuar, ku parasheh reformimin e shërbimit diplomatikë të Republikës së Kosovës”, theksoi ajo.
Gërvalla tha se do të vazhdojnë edhe me vendime tjera sa i përket shërbimit diplomatik, teksa bëri të ditur se përzgjedhje e ambasadorëve të rinj do të bëhet javëve në vazhdim.
Ministrja falënderoi të gjithë ambasadorët politikë për punën qe kanë bërë.
- Beqë Cufaj – Gjermani
- Nait Hasani – Shqipëri
- Arbër Vllahiu – Çeki
- Lirim Grejqevci – Holandë
- Shpend Kallaba – Hungari
- Gezim Kasapolli – Kroaci
- Avni Kastrati – Slloveni
- Gjergj Dedaj – Maqedonia e Veriut
- Hajdin Abazi – Australi
- Ylber Hysa – Mali i Zi
- Avni Arifi – Emiratet e Bashkuara Arabe
- Amir Ahmeti – Katar. /abcnews.al