Nga Linda Karadaku
A dërgoi vërtetë kryeministri slloven Janez Jansa një dokument diplomatik jozyrtar, një non-paper në Bruksel, i cili flet për një vizatim të ri të kufijve në ish-Jugosllavi, përfshi edhe Shqipërinë?! Nuk dihet zyrtarisht kush e ka shkruar. Dokumenti nuk ka as kokë dhe as nënshkrim.
Askush nuk e ka konfirmuar zyrtarisht që edhe Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, mori një dokument me një përmbajtje të tillë nga Sllovenia. Por një dokument diplomatik jozyrtar që parashikon shpërbërjen e Bosnjë-Herzegovinës, aneksimin e Republika Srpskës në Serbi dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, duket se ekziston.
Dokumenti i publikuar nga Necenzurirano.si, me titull “Ballkani Perëndimor-rruga përpara” mbërriti në kabinetin e Michel në shkurt. Përmend që në hyrje “çështjet e pazgjidhura kombëtare të serbëve, shqiptarëve dhe kroatëve”, të cilat dolën në sipërfaqe pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Autorët e dokumentit theksojnë se edhe pas vendosjes së paqes dhe pas përfundimit të luftërave, perspektivat e premtuara evropiane dhe përparimin e Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi në këtë drejtim në rajon, “çështjet kryesore mbeten të pazgjidhura”.
Çështjet e pazgjidhura sipas dokumentit:
– MARRËVESHJA E DEJTONIT E VITIT 1995, e cila i dha fund luftës në Bosnjë-Hercegovinë, e cila mori më shumë se 100,000 jetë njerëzish, praktikisht njohu atë që ishte arritur në luftë, por jo në parim.
– për momentin është e vështirë të imagjinosh perspektivat evropiane të Serbisë dhe Kosovës.
– anëtarësimi i Bosnjë-Hercegovinës në BE mund të përjashtohet plotësisht.
– ndërkohë hapësira e zbrazët është përdorur nga Turqia, e cila ka rritur ndikimin e saj në Bosnjë-Hercegovinë dhe Maqedoninë e Veriut.
– përveç Turqisë, një grushti politikanësh lokalë dhe mbështetësve të tyre që përfitojnë personalisht nga kaosi dhe institucionet jofunksionale, askush nuk është i kënaqur me situatën në Bosnjë-Hercegovinë.
“Zgjidhjet” e propozuara
1) Bashkimi i Kosovës dhe i Shqipërisë. “Në Kosovë, 95 përqind e popullsisë dëshiron të bashkohet me kombin shqiptar. Situata është e ngjashme në Shqipëri. Kufiri midis Shqipërisë (një anëtar i NATO-s) dhe Kosovës është praktikisht inekzistent. Pjesës serbe të Kosovës do t’i jepet një status i veçantë – duke ndjekur shembullin e Tirolit të Jugut, (një provincë autonome në veri të Italisë, ku shumica e popullsisë është gjermanishtfolëse.)
2) Bashkimi i pjesës më të madhe të territorit të Republika Srpskës me Serbinë. “Çështja kombëtare serbe mund të zgjidhet kryesisht duke aneksuar një pjesë të Republika Srpskës në Serbi. Në këtë rast, Serbia është e gatshme të bjerë dakord për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë.
3) “Çështja kombëtare kroate mund të zgjidhet duke bashkuar kantonet shumicë kroate në Bosnjë-Hercegovinë me Kroacinë ose duke i dhënë një status të veçantë pjesës kroate të Bosnjë-Hercegovinës (duke përdorur modelin e Tirolit të Jugut).”
4) “Kjo do t’u jepte boshnjakëve një shtet të pavarur funksional dhe do të merrte përgjegjësinë e plotë për të. Njerëzit do të vendosnin me referendum nëse do të bashkoheshin me BE-në ose për një të ardhme jashtë BE-së (me Turqinë). Tani për tani, një shumicë dërrmuese e boshnjakëve mbështesin perspektivën e BE-së, por në rast të vazhdimit të kaosit dhe një ndikimi të fortë në rritje të Turqisë dhe islamit radikal, situata mund të përkeqësohet në mënyrë drastike gjatë dekadës që vjen”.
“Nëse BE, Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendimmarrësve rajonalë pajtohen me planin dhe hapat për zbatimin e tij, BE merr iniciativën dhe e formulon atë”. /abcnews.al