Luiza Gega pret që t’i sjellin në shtëpi medaljen e artë të Kampionatit Europian Ekipor të Atletikës. Trajneri i saj, Taulant Stërmasi, flet për Abc-në pas kthimit në shtëpi.
Suksesi në Poloni ishte për Ligën e Tretë, por mund të shpallet fituese për gjithë kontinentin.
Luiza Gega e ka thuajse me 99 për qind të sigurt fitoren e medaljes së artë në Kampionatin Europian Ekipor, që zhvillohet në Silezi të Polonisë, dhe po flasim për garën e saj të preferuar të 3 000 metrave me pengesa.
Trajneri i saj, Taulant Stërmasi, pas kthimit në Shqipëri tregon se çfarë pritet të ndodhë.
“3000 metra me pengesa ishte më kryesorja, theu rekordin e aktivitetit. Beri një kohë të jashtëzakonshme vetëm, me një garë në mëngjes edhe me shumë gjasa po shkon drejt medaljes së arit. Liga e dytë mbaroi, tani po presim të dielën të mbarojë edhe first league dhe kështu ajo të sjellë medaljen e arit në Tiranë.”
Gega ka ambicie të tjera të mëdha këtë verë.
“Besoj do të kemi më datë 22-23 korrik Kampionatin Ballkanik dhe pastaj do të kemi një demo league dhe më pas në fund të gushtit për kampionatin botëror. Unë shpresoj që Luiza të renditet në katër më të mirat. Ajo vrapoi që në garën e parë, që është hyrëse dhe pa objektiva. Ne do të tentojmë që ajo të thyejë rekordin e saj dhe në olimpiadën e 2024 ajo të jetë në top treshe.”
Në Kampionatin Europian, sipas Stërmasit, që është edhe president i ri i Federatës, shkëlqeu gjithë ekipi shqiptar.
“Franko është një nga shpresat e federatës tonë. Kemi pasur një paraqitje të shkëlqyer tani, kemi marrë 100 pikë më shumë se herë të tjera, nuk kemi qenë më mirë se tani ndonjëherë.”
Si president, ai ka plane që atletika shqiptare të përmirësohet fort.
“Jam me 8 projekte paralelisht. Kam 4 projekte që duhen paraqitur urgjent te Federatës Europiane dhe Botërore. Do të shkoj urgjent në takime për të parë se çfarë mbështetje do të kem nga ato. Atletikën duam ta përfshijmë nëpër shkolla. Ne po punojmë me të gjithë sportistët që kemi jashtë vendit dhe po fillojmë edhe trajnimet për të gjithë.”/ h.ll/abcnews.al