Tjetër humbje për Kukësin, që e ka nisur shumë keq sezonin e ri në Superiore, edhe pse përballë ka pasur kundërshtarë të fortë në dy sfidat e para. Ekipi i Skënder Gegës u mposht 0-2 nga Partizani, i njëjti rezultat me të cilin humbi edhe kundër bardhebluve të Tiranës.
Trajneri i Kukësit, Skënder Gega, në prononcimin e dhënë për Supersport, tregon se çfarë i mungon ekipit të tij, teksa ndalet edhe te reparti i sulmit, që akoma nuk ia ka dalë të zhbllokohet.
“Nuk është pozitive të humbësh dy ndeshje. I shoh lojtarët, janë shumë të rinj. Ndoshta u duhet kohë, por nuk është se ka kohë. Ka ndeshje, shpresojmë t’i marrim gjërat me qetësi”.
“Fati na përball me ekipin ku je rritur. Është emocion i veçantë dhe e kam ndjerë. Është vetëm futboll, të gjithë duan të fitojnë. I uroj fitoren Partizanin. Kukësi nuk ka lider për momentin. Nuk e mohoj që ka kualitet. Disa gjëra nuk po ecin, por shpresojmë t’i korrigjojmë rrugës”.
“Rendimenti i sulmit? U thashë edhe në pushimin e ndeshjes, duhet bashkëpunim. Kemi bërë më të mirën. U bënë shumë largime. Kemi parë cilësitë e tyre që i kemi marrë. Duhet kohë. Në pjesën e parë luajtëm mirë dhe me pak dëshirë mund t’i ndëshkonim.
Nuk mund të luash vetëm lart mirë. Duhet ekuilibër. Në pjesën e parë e bëmë, në të dytën lamë hapësira. Me pësimin e golit u rënduam pak”, thekson trajneri i Kukësit. /abcnews.al