Gega: Dhuruam tre gola, më vjen keq për Horic. Penalltia? E vendosën lojtarët

schedule22:21 - 17 Shtator, 2020

schedule 22:21 - 17 Shtator, 2020

Kukësi hukbi 0-4 ndaj Wolsburgut në raundin e dytë të Europa League dhe tani do të përqendrohet plotësisht te kampionati. Trajneri i verilindorëve, Skënder Gega analizoi humbjen me “poker” ndaj skuadrës gjermane për Supersport, ku ndër të tjera tha:

HUMBJA – “Kush del nga fusha me 4 gola dhe nuk është i mërzitur?! Duhet të jesh realist me veten. Ne i dimë forcat dhe e dinim forcën e kundërshtarit. Gjithë kohën kam insistuar të mos dhuronim asgjë. Pa i hequr meritat Wolfsburgut, por i dhamë tre gola. Ishim të ndërgjegjshëm për forcën e kundërshtarëve, por goli i tretë mbylli gjithçka. U mundova që në pushim t’i karikoja djemtë, duke u thënë se nëse vazhdonim me këtë ritëm do shkonte më keq”.

ANALIZA – “Kemi disa probleme, kampionati do të fillojë shumë shpejt dhe duhet të përmirësohemi. Nuk do të thotë se luajtëm mirë ndaj gjermanëve dhe nuk kemi probleme në Superiore. Horic është një nga lojtarët më me eksperiencë, më vjen keq që i ndodhi atij. Nuk e prisja që t’i ndodhte, jam i zhgënjyer. Duhet të ishim me vigjilentë”.

 

LOJTARËT – “Gavazaj dhe Gashi janë premtues, prandaj u jap gjithmonë mundësinë për të luajtur me skuadrën. Kur ekipi krijoi ritëm, ata të dy bënë shumë mirë. Eze dhe Kuper janë të ngjashëm, janë njësoj. Ky është realiteti. I falënderova çunat për mundin dhe personalitetin”.

PENALLTIA – “Rroca po më kënaqte me lojën dhe e vendosën mes tyre lojtarët që ta gjuante ai. Ndodh që të humbësh një penallti, kjo i ndodh të gjithëve. Mund t’i ndodhte edhe Ezesë, unë e di karrierën e tij dhe nuk është se nuk ka humbur ndonjëherë penallti”.

E ARDHMJA – “Unë besoj se investimi që është bërë këtu, do të thotë se jemi konkurrues për kampionatin. Është kampionat i gjatë dhe duhet të t’i marrim ndeshjet një nga një. Kjo ndeshje duhet të kalohet sa më shpejt. Duhet të shikojmë gjërat e këqija për t’i rregulluar për vazhdimësinë”. /abcneës.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!