Gazment Bardhi: Çfarë më tha prokurori për kontratat e lobimit të PD

schedule23:29 - 27 Mars, 2019

schedule 23:29 - 27 Mars, 2019

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka treguar se çfarë i tha prokurori në zyrë kur e thirri për të dëshmuar si person që mund të ketë dijeni për kontratat e lobimit të PD në SHBA.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Bardhi tha se prokurori nuk kishte asnjë pyetje për të, edhe pse e kishte thirrur vetë si person që mund të kishte dijeni.

“Kam shkuar në zyrën e prokurorit, i them urdhro më pyet. E di çfarë përgjigje mora? Nuk kam asnjë pyetje për ty më thotë, po pate ndonjë gjë për të thënë, thuaje. Unë isha ftuar si person që mund të kisha dijeni për çështjen”, u shpreh Bardhi në “Opinion”.

Sekretari i Përgjithshëm i PD tha në emision se në letër-porosinë e ardhura nga SHBA konfirmohet vetëm kontrata prej 25 mijë Dollarësh që Partia Demokratike ka bërë ligjërisht dhe asnjë shumë tjetër. Bardhi kërkoi gjithashtu që Prokuroria të bëjë publike letër-porosinë e ardhur nga SHBA.

“Partia Demokratike ka paguar dhe shpenzuar për shërbimet që i ka Prokuroria në dosje, në këmbim të shumës 25 mijë Dollarë. Ne kemi 3 ditë që i bëjmë thirrje Prokurorisë të publikojë letër-porosinë nga SHBA. Deklarata e Prokurorisë është e gënjeshtër. Në letër-porosinë e ardhur nga SHBA konfirmohet kontrata 25 mijë Dollarë dhe kontrata që ka patur lobisti me kompaninë”.

Gazment Bardhi sqaroi gjithashtu se Prokuroria nuk po heton për financime ruse të PD-së, por për mënyrën se si Partia Demokratike ka deklaruar shpenzimet e veta në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve. /tvklan.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!