Kryeredaktori i gazetës “Rilindja Demokratike”, Bledi Kasmi ka folur për herë të parë në emisionin “Opinion” në Tv Klan pas incidentit që ndodhi në protestën e opozitës ditën e shtunë.
Gazetari Kasmi ka treguar momentet e para se si u tensionua situata mes protestuesve dhe policisë, pikërisht në momentin kur vet ai u qëllua me shkop gome në kokë nga efektivët.
“Goditje pas shpine” e konsideroi goditjen kryeredaktori i “RD”, duke shtuar se së bashku me avokatët po konsultohet për të bërë kallëzim për këtë çështje.
Gazetari Kasmi konfirmoi takimin në ambientet e spitalit të Traumës me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu. Me këtë të fundit, pati një diskutim pasi pretendohej se gazetari nuk u godit me shkop gome nga policia.
“Drejtori i Policisë së Shtetit erdhi sikur do të kërkonte një lloj mirëkuptim, për atë që kishte ndodhur. Më uroi shërim të shpejtë. Kaloi gjithçka normale. Më pyeti sesi ndodhi, i thashë që u godita me shkopinj gome, por ai tha se ata nuk çajnë. Pati dhe një debat me të afërmit e mi që ishin aty. Ata i thanë ta provojmë tek koka jote, do ta shohim si do jetë koka jote”.
Intervista e plotë:
Blendi Fevziu: Ishit në anën gazetarëve, apo si një përfaqësues i partisë?
Bledi Kasmi: Jo, në protestë isha si gazetar. Isha në pjesën e atyre që raportonin, jo vetëm për RD, por edhe publikun. Unë kisha zgjedhur pozicioni më të lartë dhe i kam hedhur online të gjitha fotografitë në kohë dhe mund të shikohen, pasi një gazetë partiake duhet të ketë angazhimin maksimal.
Blendi Fevziu: Kush ju ka goditur?
Kemi të bëjmë më një skemë të mirë organizuar. Unë jam goditur nga dy ose tre efektive policisë. Unë jam aty, por kjo është një video që është shpërndarë vetëm me këtë sekuencë.
Blendi Fevziu: Ç’bëje mes protestuesve dhe policëve?
Bledi Kasmi: Në momentin që policia hoqi protestuesit, unë isha aty. Dhe kur erdhi policia ku gjendesha unë, isha pasiv.
Blendi Fevziu: Policia ka thënë që shkopi i gomës nuk shkakton të çara?
Bledi Kasmi: Ai është hekur dhe të çan dhe me momentin që u godita unë nuk mbaj mend, por më thanë kolegët. Ajo është shkop me hekur. Shikon skemën. Ky që godet vjen nga pas, dhe unë se kuptoj pse jam goditur vetëm unë. Pse nuk u godit njeri tjetër. Ndërkohë më përpara ka pasur dhe dy incidente të tjera. Dy prej tyre janë goditur me shkop gome.
Blendi Fevziu: Përse protestuesit shkuan drejt Ministrisë së Brendshme?
Bledi Kasmi: U tha më parë që protestuesit do shkonin atje.
Blendi Fevziu: Kishte një skenar për tu përplasur me policinë?
Bledi Kasmi: Absolutisht, nuk kishte asnjë skenar. Protesta ka qenë e qetë.
Blendi Fevziu: Kush i drejtonte protestuesit?
Bledi Kasmi: Kanë qenë drejtues të Partisë Demokratike aty. Ata e kanë menaxhuar protestën.
Blendi Fevziu: Pas goditjes çfarë hapa ndërmorët ?
Kam qëndruar më pak se 24 orë në spital. U shoqërova nga dy deputetët, Vokshi dhe Strazimiri. Kam bërë 10 qepje, goditja ishte e rëndë, hemorragjia ishte e rëndë, bëra gati 45 minuta ndërhyrje. Më pas u spostova në një pavion tjetër. Më pas erdhi dhe Drejtori i Policisë së Shtetit. Ai erdhi sikur do të kërkonte një lloj mirëkuptim, për atë që kishte ndodhur. Më uroi shërim të shpejtë. Kaloi gjithçka normale me atë komunikim të parë. Më pyeti sesi ndodhi, i thashë që u godita me shkopinj gome, por ai tha se ata nuk çajnë. Pati dhe një debat me të afërmit e mi që ishin aty. Ata i thanë ta provojmë tek koka jote, do ta shohim si do jetë koka jote. Në portalet e qeverisë thuhej se gazetari u ça me gurë.
Blendi Fevziu: Do bëni ndjekje ligjore?
Bledi Kasmi: Po flas me avokatin…Por që do e padisim atë akt dhune është e sigurt.
Blendi Fevziu: Prej sa vitesh jeni Kryeredaktori i RD?
Bledi Kasmi: 11 vite si Kryeredaktor dhe 24 vite në gazetari.
Blendi Fevziu: Jeni i sigurt që nuk ka qenë një strategji e opozitës për të krijuar akte dhune?
Bledi Kasmi: Nuk kishte asnjë lloj strategjie. Nuk ishin përgatitur për atë qëllim. Mënyra si jam goditur ka qenë pabesi. Nëse do kisha avancuar 2 cm më para do më kishte prekur syrin dhe nëse do ishte 3-4 cm nga pas do më kishte prekur trurin. Jam ende në fazën e analizave dhe skanerit./tvklan.al