Një gazetar saudit, kritik ndaj qeverisë së Riadit, është zhdukur pa lënë gjurmë pas një vizite në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll.
Lajmi është bërë i ditur nga gazeta amerikane “Uashington Post”. Sipas të përditshmes, reporteri i tyre Jamal Khashoggi rezulton i paarritshëm që prej pasditës të së martës, që kur hyri në konsullatë. E fejuara e tij, që e ka shoqëruar për tek godina, ka bërë denoncimin në mediat ndërkombëtare. Ajo thotë se ka pritur deri në mbylljen e konsullatës dhe nuk ka marrë asnjë informacion për gazetarin. Prej kohësh Khashoggi denonconte arrestimet dhe kufizimet e të drejtave civile nga ana e autoriteteve saudite.
Sipas analistëve, për këto publikime, 59-vjeçari është arrestuar sapo ka shkelur në selinë diplomatike të Riadit në Stamboll. /abcnews.al