Kukësi vijon përgatitjet për ndeshjen e radhës me Luftëtarin dhe trajneri Orges Shehi do të ketë në dispozicion edhe mbrojtësin Olsi Teqja, i cili mungoi ndaj Skënderbeut për shkak se kishte plotësuar numrin e kartonëve të verdhë.
Gjatë kësaj periudhe, me Kukësin është bashkuar edhe sulmuesi anësor, Zenel Gavazaj. Ai ka pasur një dëmtim që e la pa ekip dhe tanimë po tenton të kapë formën, duke u stërvitur me verilindorët. Vjet, vëllai i Enis Gavazajt ishte pjesë e Skënderbeut dhe u grumbullua në tre takime, pa mundur të debutojë në Superiore. Në të shkuarën ai ka qenë pjesë e Shqipërisë U17.

SKËNDERBEU – Ardjan Takaj, presidenti i Skënderbeut, është takuar me drejtuesit e KF Lugina, klub shqiptar në Serbi. Ai ka rënë dakord që te korçarët të testohen elementët e tyre premtues në të ardhmen dhe ka marrë një dhuratë simbolike nga drejtuesit e KF Lugina.
“Kryetari i Klubit futbollistik Lugina, Nagip Jakupi, dhe përfaqësuesi i klubit, Bekim Ymeri, zhvilluan një takim me presidentin e Skënderbeut, Ardjan Takaj, ku biseduan dhe u dakorduan për një bashkëpunim mes klubit Lugina dhe Skënderbeut, që lojtarët me cilësi më të mirë (talentet) të jenë në prova tek Skënderbeu, një bashkëpunim shume i frytshëm për rinin e Luginës Preshevës. Mbas takimit zyrtar, drejtuesit e klubit i dhuruan një bluzë me numrin 10 të KF Lugina presidentit Ardjan Takaj”, shkruhet në njoftimin e klubit shqiptar. /abcnews.al

