Garë e prishur dhe tribunë e shpikur, Disiplina “ia fut dushk”

schedule22:42 - 2 Tetor, 2019

schedule 22:42 - 2 Tetor, 2019

Është e pamundur të mos e “kapësh” Komisionin e Disiplinës. Sot ka dhuruar shfaqjen e radhës, duke ndikuar në garë dhe duke shpikur një tribunë. Tirana e Partizani janë dënuar dhe të kuqtë praktikisht e kanë pësuar më keq. Dy ndeshjet vijuese do t’i luajnë pa tifozë, ndërkohë që i është hequr mundësia që sfidën e Kupës me Vorën ta luante pa praninë e publikut e të shlyente gjysmën e dënimit. Kështu, në fundjavë, një nga ndeshjet më të rëndësishme, Partizani-Teuta, do të zhvillohet pa tifozë. Mëkat!

Tirana, që para pak javësh doli dhe e falënderoi publikisht Disiplinën, pati fatin të dënohej disa orë para ndeshjes dhe ndaj Shënkollit luajti pa tifozë. Tanimë i mjaftojnë pesë milionë lekë që të shlyejë dënimin dhe fansat të kthehen në ndeshjen me Laçin. Partizani nuk e ka këtë fat. Askush nuk ka dëshirë që ndeshjet të luhen pa tifozë.

Këtë e do edhe Disiplina, por kur ia do qejfi dhe me klube të caktuara. Pa diskutim që këto lloj dënimesh, me standard të dyfishtë, prishin garën. Disiplina s’e ka për gjë ta bëjë diçka të tillë. Se mos njerëzit e dinë se kush i merr këto vendime absurde. Madje as gazetarët, pasi në faqen ueb të federatës në asnjë moment nuk publikohen emrat e juristëve që kemi fatin t’u provojmë çorbën që gatuajnë në zyrat e FSHF-së.

Faksimile e vendimit të Komisionit të Disiplinës

TRIBUNA IMAGJINARE – Unik është Komisioni i Disiplinës, kur sheh që urdhëron Tiranën të mbyllë një tribunë që nuk ekziston. Capital Crew, ultrasit bardheblu, nuk duhet të jenë në stadium dhe Disiplina ka vendosur që të mbyllet sektori G3.  Në fakt stadiumi “Selman Stërmasi” as që e ka një sektor të tillë.

Vetëm në Komisionin e Disiplinës e dinë ku ndodhet. Tirana, me të drejtë të Zotit, tribunën G2 do e lërë të lirë për tifozët. “G3”-shin le ta ruajë çdo delegat që do jetë në sfidat e Tiranës. Praktikisht dhe ligjërisht, me atë që është publikuar në faqen e FSHF-së, i gjithë “Selman Stërmasi” është në dispozicion të tifozëve. G3 të rezervohet për anonimët e Disiplinës dhe ta shijojnë Superioren. Me siguri edhe Partizani do e rezervojë për ta atë sektor… /abcnews.al

Tribuna G2, në stadiumin “Selman Stërmasi”

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!