Për garantimin e një sezoni turistik të sigurt, policia ka proceduar penalisht 10 persona në qarkun e Shkodër. Mësohet se ata kanë ushtruar në kundërshtim me ligjin, aktivitete të ndryshme, në zona shumë të frekuentuara gjatë sezonit veror.
Tetë prej tyre, u konstatuan duke transportuar me mjete lundruese, nga diga e Komanit drejt lumit të Shalës, ndërsa, dy të tjerë, banues në Velipojë,ushtronin aktivitetin në hotelet e tyre, në Velipojë, pa u pajisur me dokumentacionin përkatës dhe pa u regjistruar në organet tatimore.
Njoftimi i Policisë:
Masa të shtuara nga Policia, në të gjithë qarkun, për garantimin e një sezoni turistik të sigurt.
Procedohen penalisht 10 shtetas që ushtronin në kundërshtim me ligjin, aktivitete të ndryshme, në zona shumë të frekuentuara gjatë sezonit veror.
Si rezultat i kontrolleve të shtuara nga shërbimet e DVP Shkodër, për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, me qëllim garantimin e një sezoni turistik të sigurtë, janë evidentuar raste të aktivitete të ndryshme që kryheshin në kundërshtim me ligjin. Për këto raste, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko dhe Financiare, kanë referuar materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
Tetë persona, pasi u konstatuan duke transportuar me mjete lundruese, nga diga e Komanit drejt lumit të Shalës, vizitorë dhe turistë, pa plotësuar kushtet e nevojshme për sigurinë e tyre, dhe pa u pajisur me dokumentacionin përkatës për ushtrimin e këtij aktiviteti;
Dy persona, të dy banues në Velipojë, pasi ushtronin aktivitetin në subjektet (hotelet) e tyre, në Velipojë, pa u pajisur me dokumentacionin përkatës dhe pa u regjistruar në organet tatimore.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Policia e Shkodrës fton qytetarët dhe turistët që për çdo rast nevoje për ndihmë dhe për çdo rast paligjshmërie që konstatojnë, të telefonojnë/denoncojnë në numrin pa pagesë./abcnews.al