Në Tiranë do të zhvillohet për herë të parë Triathlon”-i, gara e cila bashkon tri disiplina sportive në një të vetme. Kryebashkiaku Veliaj e vlerësoi këtë organizim si një mundësi të mirë për promovimin e turizmit në Tiranë.
Farka do të jetë destinacioni i garës që zhvillohet për herë të parë në vendin tonë “Triathlon”-i. Ky është një sport që bashkon tri disiplina, në një garë të vetme: not, çiklizëm, vrap.
Qindra sportistë, profesionistë ose jo, do të garojnë dielën përgjatë një itinerari të mirëpërcaktuar nga Bashkia e Tiranës.
Një ditë para kësaj gare sportive, e cila synohet të kthehet në traditë për kryeqytetin, me synim rritjen e numrit të turistëve, kryebashkiaku Erion Veliaj zhvilloi një takim me organizatorët e Triathlon-it për të koordinuar detajet e fundit për mbarëvajtjen e garës. Veliaj tha se aktivitete të kësaj natyre po promovojnë çdo ditë e më shumë Tiranën dhe se qyteti po bie në sy si një destinacion fantastik në Ballkan.
“Pas organizimit të Maratonës së Tiranës për dy vjet radhazi dhe koncerteve të Rita Orës dhe Ermal Metës, nuk ka më dyshime se çfarë sjellin për qytetin tonë këto aktivitete; sjellin turizëm, promovim, ngrejnë emrin e qytetit, na fusin në harta të rëndësishme turistike dhe përmendemi në revista të tilla si Lonely Planet. Pra, të gjitha këto janë të lidhura, janë pjesë e një strategjie të madhe ku sa më shumë aktivitete të ndodhin në Tiranë, aq më shumë Tirana përmendet si destinacion turistik për Ballkanin”,
Veliaj shprehu ambicien e Bashkisë së Tiranës për të organizuar aktivitete të tilla edhe në zonat periferike të qytetit, duke nxitur edhe turizmin.
Ai deklaroi se aktivitete të tilla sportive, sikurse ishte edhe Maratona e Tiranës në Tetor, po i japin një impuls pozitiv ekonomisë së qytetit, duke sjellë një numër të lartë vizitorësh.
Për mbarëvajtjen e garës, Bashkia e Tiranës në bashkëpunim edhe me Policinë Bashkiake dhe Policinë e Shtetit, kanë marrë masa për devijimin e qarkullimit të automjeteve në datën 10 Qershor nga ora 08:30 deri në orën 13:00 nga segmentet si rruga e “Tuneleve”, rruga “Daxhit”, ajo tek “Diga e Liqenit”, apo rruga “Panorama e Liqenit”. /abcnews.al