Pesë kandidatë kanë shprehur interesin deri më tani për pozicionin e prokurorit të përgjithshëm, për të zëvendësuar në këtë detyrë Olsian Çelën, të cilit i përfundon mandati 7-vjeçar në muajin dhjetor të këtij viti.
Njëri prej kandidatëve që ka aplikuar dhe ka dorëzuar platformën e tij në Këshillin e Lartë të Prokurorisë është në radhët e prokurorëve të SPAK. Adnan Xholi prej 5 vitesh ushtron detyrën si prokuror pranë Prokurorisë së Posaçme, teksa ka mbajtur detyrën edhe ai drejtues seksioni për krimin e organizuar në kohën kur SPAK udhëhiqej nga Altin Dumani. Ai është prokuror karriere, me mbi 2 dekada në sistemin e drejtësisë, ndërsa më herët ka ushtruar detyrën edhe në prokuroritë e rretheve.
Surprizë në këtë garë është Arta Marku, ish prokurore e përgjithshme e përkohshme, e cila më pas u zëvendësua nga Olsian Çela. Tashmë, Marku ushtron detyrën në prokurorinë e Apelit Tiranë.
Dy kandidatë të tjerë vijnë nga radhët e organit të akuzës së kryeqytetit, Ylli Pjetërnika dhe Rovena Zoto, ndërsa në garë është futur edhe Fatjona Memccaj, e cila ka qenë më herët drejtoreshë kabineti në prokurorinë e përgjithshme. Kjo e fundit është pjesë e Eurojust, dhe ka shprehur interes për të drejtuar prokurorinë e përgjithshme për 7 vitet e ardhshme.
Aplikim dorëzoi edhe drejtuesi i prokurorisë Elbasan Kreshnik Ajazi, por u tërhoq nga gara në moment të fundit.
Afati i fundit i aplikimit ishte caktuar data 1 gusht, por duke qenë se ishte pushim, “qeverinë e prokurorëve” ka zgjatur afatin deri mesnatën e kësaj të hëne për dorëzimin e kandidaturave të tjera.
KLP më vonë do të caktojë datën për intervistimin e të gjithë kandidatëve, ku më pas vetëm 3 prej tyre do ti përcillen Kuvendit të Republikës për të zgjedhur prokurorin e ri të përgjithshëm, që do të zëvendësojë Çelës, pas muajit dhjetor të këtij viti.
/abcnews.al/

