Ngushtohet rrethi për drejtorin e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Komisioni i Përzgjedhjes i kryesuar nga drejtuesi i SPAK Arben Kraja ka kualifikuar për në fazën e fundit, 8 nga 18 kandidatët që ju nënshtruan testit fizik, testit të arsyetimit logjik, dhe të aftësive për të shkruajtur raporte.
Komisioni i Vlerësimit ka mbledhur pikët në total për secilin kandiat.
Të kualifikuarit deri tani, do të përballen me të tjera kontrolle përfshi dhe atë të pasurisë dhe integritetit. Ndërsa në fund është testi i poligrafit, i njohur si “makina e të vërtetës”, një nga sprovat më të vështira për të marrë detyrën e shefit të BKH.
Të gjithë kandidatët që u kualifikuan në këtë fazë, kanë mbajtur poste të larta drejtuese në Policinë e Shtetit ndër vite, ndërsa vetëm Ylli Pjetërnikaj, vjen nga radhët e prokurorëve pasi ka qenë drejtues i organit të akuzës në Shkodër.
Kandidatët e tjerë janë Aida Veizaj (Hajnaj) zv/drejtoresha e përgjithshme e Policisë së Shtetit, Ardian Çipa ish-zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Artur Beu Oficeri i Kontaktit në Ambasadën Shqiptare në Romë, Ervin Hodaj ish-drejtori i Policisë Vendore në Tiranë, Gentjan Shehaj ish- drejtori i Policisë së Vlorës, Lindita Nushi ish- drejtoresha e Kufirit dhe Migracionit në Durrës dhe Idajet Faskaj ish- drejtori i hetimit të krimit të organizuar në Policinë e Shtetit.
Drejtuesi i Byrosë Kombëtare të Hetimit pasi të marrë detyrën, do t’i nënshtrohet një trajnimi të gjatë në Shtetet e Bashkuara nga Federalet Amerikane./abcnews.al