Gaqo Bushaka dhe Viktor Canosinaj rrëfejnë sekretet e letërsisë për fëmijë

schedule16:10 - 30 Korrik, 2019

schedule 16:10 - 30 Korrik, 2019

Gaqo Bushaka  dhe Viktor Canosinaj, janë dy prej  fituesve të fondit të Letërsisë për Fëmijë. Shkrimtarët rrëfejnë për ABC News domosdoshmërinë e konkurseve të letërsisë për fëmijë e cila vitet fundit është jashtë çdo gare.

Nga ana tjetër ata na tregojnë edhe sekretet e kësaj  letërsie. 2  muaj pas garës së shpallur nga Ministria e Kulturës për Fondin e Letërsisë për Fëmijë juria shpalli  5 fituesit nga 27 autorë pjesëmarrës në garë.

Gaqo Bushaka, Viktor Canosinaj, e shohin si dritë jeshile  këtë garë, për të kthyer vëmendjen te kjo letërsi.

Shkrimtari i dashur  Gaqo Bushaka  u shpall fitues  në zhanrin e poezive për vogëlushët.  Ndërsa “Çufo dhe Bubi kaçurrel” mbetet ndër veprat më ta dshura për fëmijë edhe pse kanë kaluar 40 vite, sekreti sipas autorit mbetet të humori që karakterizon veprën dhe krijimtarinë e tij.  Tashmë ai po përmbyll ciklin me veprën “Çufo me pushime në Amerikë”.

Ndërsa Canosinaj u shpall  fitues në gjininë e romanit, një vepër fantastiko shkencore.

Të dy shkrimtarët si shqetësim shohin cilësinë në prurjet e reja. Sekreti i tyre qëndron te batuta dhe përshtatja e tyre me grupmoshat të cilave u drejtohen.

Gaqo Bushaka si këshillë brezit të ri të shkrimtarëve u jep këtë:

“Do ti jap këshillën që i kam dhënë vetes time. Mos nxirrni nga dora një gjë për të cilën nuk je i bindur vetë që do të jetë gjë e mirë. Nga ana gjuhësore nuk i kam bërë lëshime vetes dhe kam kërkuar njerëz shumë profesionistë që fëmija në librin tim ta mësojë tamam fjalën sic është”, tha Bushaka.

Vlera me të cilën u vlerësuan dorëshkrimet e 5 fituesve është 150 000 lekë.

Gaqo Bushaka, me motivacionin:

“Për mjeshtërinë e vargëzimit të thjeshtë shumë afër botës fëminore, me tingullim melodik, pastërti gjuhësore dhe larmi tematike”.

Fiton në kategorinë Rrëfenja Hysen Kobellari, me motivacionin:

“Për merita të spikatura në qëmtimin, përpunimin dhe sjelljen në një kontekst të ri letrar të një trashëgimie folklorike që kemi nevojë ta kultivojmë tek fëmijët tanë si pasuri identitare”.

Fiton në kategorinë Përrallë Rudina Çupi, me motivacionin:

“Për kurajën e një narrative me peshë të lartë përmbajtjesore për fëmijët, që e sfidon dhe edukon lexuesin me inteligjencën e humorit dhe frymën e lojës, duke kthyer në vëmendje FJALËN”.

Fiton në kategorinë e librit Didaktik Luan Rama, me motivacionin:

“Një tekst letrar që mbart vlera të spikatura didaktike, përmes kultivimit artistik të dijes dhe vlerave kombëtare për fëmijët, me një ligjërim të zhdërvjellët e të ilustruar bukur”.

Fiton në kategorinë Roman Viktor Canosinaj, me motivacionin:

“Arrin të mbajë zgjuar interesin e lexuesit të ri, duke ruajtur brenda një strukture të pastër konceptuale dhe gjuhësore, ligjërimin artistik grishës dhe formues njëkohësisht”.

Pas disa vitesh mungesë Ministria e Kulturës është duke punuar që të rikthejë edhe çmimin kombëtar për Letërsinë për Fëmijë./ABC News Albania 24/7