Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, ka thënë pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se raportet aktualisht përballen me sfida shkaku i trajtimit të minoritetit serb nga qeveria e Kosovës.
“Duhet të pranojë se marrëdhëniet tona kanë disa sfida tani, e këto sfida janë për shkak të trajtimit të minoritetit serb në Kosovë. Është çështje emergjente humanitare që duhet adresuar menjëherë. Shpresoj që Qeveria është pajtuar të jetë fleksibile në këto diskutime në dialog të martën. Në ndërkohë e kam përgëzuar kryeministrin për vendimin që ka marrë për Deçanin. Ishte vendim i vështirë, por i duhur”, ka thënë Escobar.
“Janë ata anëtarët më të cenueshëm, personat me aftësi të kufizuara, pensionistët dhe studentët. Jam prekur nga rrëfimet e tyre se si vendimi i ka prekur ata. Kryeministri e pranoi këtë dhe premtoi se do të shohë disa nga propozimet që ia kam bërë atij sot”, ka thënë Escobar.
I pyetur për kritikat për një qasje të pabalancuar të SHBA-së karshi Kosovës, Escobar ka thënë se çdo gjë që ka bërë SHBA-ja në vitin e fundit ka qenë për Kosovën.