G7? Më mirë “G6 plus 1”

schedule22:26 - 4 Qershor, 2018

schedule 22:26 - 4 Qershor, 2018

Grupimi G7 pritet të mblidhet më vonë gjatë javës në Kanada. Por në një shkrim analitik, agjencia e lajmeve “Reuters” thotë se ekzistenca e grupimit më të fuqishëm në botë është vënë në rrezik nga politika “Amerika e Para” e Presidentit Trump.

Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, do të ketë një detyrë të vështirë këtë javë, të mirëpresë në vendin e tij mbajtjen e samitit të vendeve më të industrializuara të botës, i njohur si G7. Në një shkrim analitik, agjencia e lajmeve “Reuters” shkruan se Trudeau do ta ketë më se të vështirë detyrën për të mbajtur unitetin e grupimit, në një kohë kur 6 nga 7 vendet anëtare kanë acaruar marrëdhëniet tregtare me Shtetet e Bashkuara.

Gjithashtu, vijon analiza, eventi i këtij viti ka gjasa të humbasë rëndësinë e tij për shkak të samitit tjetër mes Donald Trump dhe Kim Jong-un, më 12 Qershor në Singapor. Trudeau, i cili dëshiron që takimi i 8 dhe 9 qershorit të fokusohet tek rritja ekonomike, insiston se mund t’i bëjë ballë sfidës. Por ekspertë dhe zyrtarë të vendeve të tjera e shohin me skepticizëm optimizmin e tij. Sipas tyre, politikat tregtare dhe diplomatike të administratës amerikane kanë izoluar Shtetet e Bashkuara dhe rrezikojnë ekzistencën e vetë grupit.

“Ajo çfarë do të tregojë ky samit është se Shtetet e Bashkuara janë vetëm kundër të gjithëve dhe sidomos vetëm kundër aleatëve të tyre”, ka deklaruar ministri francez i Financave, Bruno Le Mer.

Me diplomacinë e tij nepotike dhe politikën “Amerika e Para”, Trump ka irrituar vendet të cilat i kanë premtuar aleancë Shteteve të Bashkuara që nga koha e Luftës së Ftohtë me Bashkimin Sovietik. Por, me rritjen e tarifave për çelikun dhe aluminin e importuar, Trump duket se nuk ua ka vënë shumë veshin interesave të aleatëve, si Kanadaja dhe BE-ja. Pa harruar këtu tërheqjen e Uashingtonit nga marrëveshja bërthamore me Iranin.

Ndërkohë, veç Perëndimit e shqetësuar është edhe Japonia, e cila druhet se mund të kalojë në plan të dytë në një kohë kur Amerika po përpiqet të rregullojë marrëdhëniet me Korenë e Veriut. Në këto kushte, vijon analiza e “Reuters”, më tepër se sa një grupim G7 i bie të jetë një G6 plus 1./abcnews.al