7 vendet më të industrializuara të botës do të ngrenë një grup pune për të monitoruar sjelljet dashakeqe të Rusisë. Ministrat e Jashtëm kanë rënë dakord të reagojnë bashkarisht kundër sulmeve kibernetike, fushatave të keqinformimit dhe tentativave për vrasje.
Ministrat e Jashtëm të grupimit G7, ku bëjnë pjesë vendet më të industrializuara të botës, kanë rënë dakord për ngritjen e një task force që do të monitorojë ato që i quajnë “sjelljet dashakeqe” të Rusisë.
Duke njoftuar lajmin, shefi i diplomacisë britanike, Boris Xhonson, ka deklaruar se aleatët janë të shqetësuar për veprimet e Moskës. Dhe në fakt, tensionet mes Perëndimit dhe Kremlinit janë rritur ndjeshëm në vitet e fundit për shkak të rolit të Moskës në konfliktet në Siri dhe Ukrainë.
Gjithashtu, qeveria ruse fajësohet për helmimin me agjent nervor të ish-spiunit rus që jetontë në Angli, Sergei Skripal. Nga Torontoja, ku u zhvillua takimi i ministrave të Jashtëm, Xhonson ka thënë se vendet anëtare kanë pranuar të rrisin vëmendjen ndaj Rusisë, e cila i mohon akuzat që i atribuohen.
“Ajo që vendosëm është se do të ngremë një grup pune për të mbikëqyrur sjelljet dashakeqe të Rusisë. Ndaj sulmeve kibernetike, fushatave të keqinformimit apo tentativave për vrasje do të ketë reagim kolektiv”, ka thënë Xhonson.
Më herët, ministri i Jashtëm gjerman Hajko Mas u tha gazetarëve se grupimi G7 do t’i bëjë kërkesë zyrtare Moskës për të kontribuuar në zgjidhjen e konfliktit sirian, ku së bashku me Iranin janë aleatët kryesorë të regjimit të presidentit Bashar al Assad./abcnews.al