Futbollin e zvarritin sërish, kur vendoset për kampionatet në Shqipëri

schedule18:18 - 3 Maj, 2020

schedule 18:18 - 3 Maj, 2020

Ogerta Manastirliu, ministre e Shëndetësisë, ka folur për rikthimin e futbollit në Shqipëri, duke thënë se gjatë javëve të ardhshme, qeveria do të vendosë. Në prononcimin e saj për “E Diell” në Top Channel, Manastirliu tha: “Ndoshta nuk më ka rënë rasti ta them, por unë jam vetë sportdashëse njësoj si ata që e duan sportin, jo në cilësinë e ministres po si sportdashëse e kam menduar shpesh se çfarë duhet bërë. E kuptoj që të gjithë duam të rikthehemi në normalitet dhe kush nuk do të donte në fakt.

Por duhet të kuptojmë, që virusi nuk ka ikur dhe përderisa vaksina nuk është gjetur ende të gjithë duhet të përshtatemi me këtë realitet të ri, edhe sporti duhet të përshtatet dhe të mendojmë disa faza të ngadalta për rikthimin. Vende të shumta europiane i kanë shtyrë kampionatet ose i kanë pezulluar ato, jo më ne.

Jemi në diskutime me ekspertët dhe jemi ende në një risk të lartë dhe nuk mund të mendojmë për një rikthim të shpejtë dhe nuk kemi ende data qoftë edhe të stërvitjeve dhe jo më pa atë mendojmë për rikthimin e ndeshjeve. Do të kemi të reja edhe për sportin dhe do shikojmë si do evoluojë situata.

Ne bazohemi në komitet ekspertësh që merr vendimet hap pas hapi dhe sporti është një komponent në fazat e rihapjes. Nuk mund të them dot sot, në dy javët e ardhshëm do shikojmë si do shkojë kurba e infeksionit.  Sot nuk them dot nëse do të ndjekim shembullin e Francës apo Gjermanisë. Por, në dy javët e ardhshme, pasi të shohim se si do të eci kurba epidemiologjike, do vendosim edhe për sportet dhe futbollin.

Nuk mund të them në maj apo qershor do të nisi gara, jemi në një fazë me risk të lartë dhe ne duam që me vendimet që ne marrim, të cilat deri më tani kanë realizuar të drejta, duhet që të ruajmë këtë kurbë që e kemi shumë më të mirë edhe se vendet e tjera. Duhet mirëkuptuar që janë të gjitha vendime që bazohen te të dhënat epidemiologjike dhe situata në spitale, por duhet të presim. Maji po vjen shpejt, kampionatet duhet t’i shtyjmë ende. Por, padyshim do të kemi edhe njoftime për sportin. Tifo? Me Tiranën në Shqipëri dhe Barcelonën në botë”, përfundoi Manastirliu./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!