“Fushatë e përqendruar në Uashington, e jo në Tiranë”, analisti Kajsiu: Kreu i PD po cenon interesat kombëtarë

schedule18:41 - 7 Maj, 2025

schedule 18:41 - 7 Maj, 2025

Analisti Blendi Kajsiu në “Tirana Live” në ABC News bëri krahasimin e fushatës elektorale të dy forcave politike më të mëdha në vend, atë të PS dhe atë të PD.

Për këtë të fundit analisti tha se është fushatë e vjetër në një Shqipëri të re, duke shtuar më tej se PD ka përqendruar fushatën në Uashington dhe jo në Tiranë.

“Është një fushatë e vjetër në një vend të ri. Në fushatë nuk debatohen tematika të rëndësishme që kanë të bëjnë me  zhvillimin e Shqipërisë, jo si do të zhvillohet, por si po zhvillohet Shqipëria. Nuk ka një debat serioz për ndikimin e turizmit për çmimet, kjo ndodh sepse kemi një fushatë ku partitë politike shajnë njëra-tjetrit.”

Sa i takon lobimit prej 6 milionë euro Blendi Kajsiu u shpreh se PD po lë interesat kombëtar dhe po rreshtohet në ato individuale.

“Kontrata e lobimit dhe paraja që ka përdorur PD, për lobimin, por dhe për LaCivita e fokuson betejën në Uashington dhe jo në Tiranë. Halli me Uashingtonin nuk është hall i PD, por i Berishës. Prandaj PD duhet të mendojë se si duhet që të zgjerojë votat. Një partia që lë interesin kombëtar dhe rreshtohet tek rryma e Trump-izmit, janë ide të rrezikshme për kombin tonë. Në këtë kontekst unë mendoj se Trump-izmi është një rrymë e rrezikshme për Shqipërinë.”

Në fund analisti dha dhe një koment të tijin personal, se kë shihte si fitues në zgjedhjet e 11 majit. Për Blendi Kajsiun, fitues ishte PS me kryeministër Edi Ramën.

“Parashikimi është i qartë, PS do të fitojë, por jo me një diferencë të madhe. Qytetarët do të votojnë PS jo se janë të kënaqur, por se nuk kanë një alternativë tjetër më të mirë. PD nuk mbron interesin qytetar, por atë individual, të Berishës.”/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!