Pas çeljes së fushatës dhe prezantimit të programit për zgjedhjet e 11 Majit, kreu i PD-së Sali Berisha ndodhet në Brescia në një takim me diasporën në Itali.
Gjatë fjalës së tij përpara emigrantëve shqiptarë që ndodhen e jetojnë atje, Berisha u shpreh shumë falënderues dhe mirënjohës për mbështetjen.
“Miq, stacioni i parë që nisa pas startit epik të fushatës elektorale dy ditë më parë në Tiranë, jeni ju. Kjo fushatë që kemi nisur është një fushatë madhështore, është shpresëdhënëse, falë jush, falë diasporës shqiptare, ndaj jam sot shumë i frymëzuar, shumë i nderuar të ndodhem midis jush. Sepse vetë historia juaj është burim frymëzimi. Ju jeni shqiptarët e sakrificave të mëdha, takimi me ju është takimi me sakrificën më fisnike të njeriut.Por ju jeni shqiptarët e suksesit, e arritjeve të mëdha, sepse ju erdhët në Itali në këtë vend mik të Shqipërisë, si njerëzit më të vuajtur nga diktatura komuniste në Europë.
Ju erdhët në Itali si njerëz para të panjohurave të mëdha, ashtu siç është udhëtimi i një emigranti dhe populli italian, Italia mike ju ofruan ju bujarinë, mikpritjen, njerëzinë e tyre. Ndaj dhe një falënderim i madh shkon për miqtë tuaj italianë, për kombin italian, Viva Italia. Këtu në Itali në qytetin e bukur të Breshias dhe kudo, ju e provuat veten shqiptarë të vërtetë. E them këtë sepse kapërcyet çdo vështirësi, tejkaluat çdo pengesë, arritët të ktheheni në qytetarë dinjitozë, njerëz punëtor, njerëz që e nisët jetën nga zero në këtë vend të bekuar”, tha Berisha./abcnews.al