Kryeministri Edi Rama në takimin elektoral të zhvilluar në Gjirokastër, u shpreh se falë punës së palodhur, vendi po ecën në drejtimin e duhur.
Rama theksoi se këtë fakt e kanë treguar edhe sondazhet e bëra së fundmi.
“Njerëzit votojnë me shumicë, sepse shumë nga gjërat që bëhen arrijnë drejtpërdrejt tek njerëzit. Gjirokastra kur ne morëm detyrën kishte 6 mijë turistë në vit, ndërsa vjet kishte 600 mijë, këtë berberhanet e përqeshin. Ndërkohë gjirokastritët e dinë. Ky qytet ngjante sikur po jepte shpirt, sot merr frymë, rritet zhvillohet dhe shkëlqen hap pas hapi. Dhe them se do të ishte e udhës që t’ju tregojmë njerëzve disa të dhëna që nuk i dinë. Thonë se s’ka ujë, drita dhe s’ka bukë…Por ka shumë njerëz që e dinë që gjërat janë përmirësuar. Dhe kur vjen puna tek ekonomia, nuk mund ta mbulosh me lule sepse njerëzit e ndjejnë në shtëpinë e tyre. Nëse sot jemi tek pragu i derës së shtëpisë së familjes së madhe europiane, kjo nuk është rezultat i asgjëje tjetër, veçse i besimit dhe vlerësimit që ata në atë shtëpi kanë krijuar ndaj nesh dhe nuk e kanë krijuar se kanë rënë në sevda me atletet e mia, por sepse BE ka një makineri, që ndjek çdo gjë që ndodh në një vend që pretendon të hyjë në atë shtëpi”, tha ai.
/abcnews.al/

