Fushata e socialistëve/ Rama në Gjirokastër: Jemi këtu për të garantuar punën e SPAK dhe institucionet e tjera të drejtësisë

schedule18:30 - 22 Prill, 2025

schedule 18:30 - 22 Prill, 2025

GJIROKASTËR- Barazia e plotë para ligjit garantohet në formë përfundimtare me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në takim me gratë dhe vajzat e Gjirokastrës.

Ai theksoi se kjo arritje duhet të garantohet edhe me votën e 11 majit, duke shtuar se PS është e vetmja forcë politike që mund ta çojë vendin në BE.

“Jemi në ushtrimet e para të barazisë para ligjit. Barazinë para ligjit, shqiptarët e sotëm nuk mund ta linin në dorë se kush vjen te kryeministria dhe kush merr pushtetin këtu”, tha ai.

Ai theksoi se socialistët janë këtu për të garantuar punën e SPAK dhe institucioneve të tjera të drejtësisë.

“Jemi këtu për të garantuar SPAK dhe të gjithë institucionet e drejtësisë, pavarësisht se sa na dhemb. BE nuk është për ne një nga opsionet, por është i vetmi opsion, sepse liria individuale në Shqipëri sot duket si e mirëqenë, nesër mund të jetë e kërcënuar”, tha ai.

Ai iu përgjigj dhe kritikave të opozitës sa i takon programit qeverisës. Sipas Ramës, Partia Socialiste ka kryer investime të jashtëzakonshme jo vetëm në Gjirokastër, por në të gjithë Shqipërinë dhe sigurisht këtë e ka të bazuar te programet e saj.

“Unë s’kam çfarë them? Ne s’kemi çfarë themi më? Ne vetëm punët dhe investimet që kemi bërë në Gjirokastër, dhe po të fillojmë ti numërojmë një nga një mund të rrimë deri nesër këtu, ndërsa për Shqipërinë, po ti numërojmë mund të rrimë përtej 11 majit”,  theksoi Rama./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!