Qeveria franceze ka dërguar sasi të mëdha ndihmash mjekësore në Ukrainë, por ajo që bie në sytë e mediave ndërkombëtare janë pilulat e jodit.
I pyetur në lidhje me llojin e medikamenteve të dërguara në Ukrainë, ministri i punëve të jashtme të Francës Jean-Yves Le Drian tha se ato përbëhen nga “produkte të ndryshme mjekësore”.
“Po, ne kemi dërguar produkte të ndryshme mjekësore,” i tha Le Drian transmetuesit TV France 2, në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me dërgesën e mundshme të jodit në Ukrainë, raporton abcnews.al.
Konfirmimi erdhi pasi Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) shprehu shqetësimin se Ukraina raportoi probleme komunikimi me stafin në një central të energjisë bërthamore.
Më herët ka patur shqetesime për ndonjë aksident në ndonjërin prej centraleve të shumtë bërthamorë të Ukrainës. Ngjarja më tragjike është ajo e Çernobilit në prill 1986 ku reaktori nr.4 i centralit në Pripyat shpërtheu duke hedhur në ajër material radioaktiv që kontaminoi thuajse të gjithë Europën.
Pse nevojiten pilulat e jodit?
Jodi është medikamenti i parë që përdoret në rastet e kontaktit me radioaktivitet. Marrja e jodit pëmes pilulave bën që tiroidja të ngopet dhe të mos thithë jodin radioaktiv, i cili mund të çojë deri në kancer. /abcnews.al