Furnizimi me ujë në Tiranë, Veliaj: Dyfishojmë kapacitetin e Bovillës

schedule17:46 - 8 Nëntor, 2018

schedule 17:46 - 8 Nëntor, 2018

Dyfishimi i kapacitetit të filtrimit të ujit në Bovillë dhe një linjë e re në zonën e Yzberishtit, pritet të përmirësojnë furnzimin me ujë në Tiranë. Projektet i bëri të ditura Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj.

Dy investime të rëndësishme pritet të përmirësojnë furnizimin me ujë për banorët e Tiranës.  Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj tregoi ku po ndërhyhet.

“Së pari, për dyfishimin e të gjithë kapacitetit në zonën e Bovillës, ku kemi shtuar filtrimin, e mandej për të lidhur një linjë direkte në disa nga zonat me banorë të rinj të Tiranës, duke nisur nga Sheshi “Shqiponja”, deri te Fabrika e Mielit, që njihet si zona e Unazës së Re; një zonë e cila në letra ka 7 mijë banorë, por në realitet është 70 mijë banorë”.

Tre dekadat e fundit numri i popullsisë në Tiranë është pesëfishuar rrjedhimisht edhe nevoja për ujë. Kryetari i Bashkisë i bëri thirrje qytetarëve të mos abuzojnë me ujin e pijshëm.

“Kur shoh nëpër qytet sesi burrat, sidomos burrat shqiptarë, qëndrojnë me dorë në zemër në lavazhe, ndërsa presin të lahet makina, e vë në dyshim nëse rrinë me dorë në zemër teksa lahen fëmijët e tyre, me të njëjtën dashuri që presin të lahet makina. Për t’i dhënë më shumë mundësi njeriut, sesa makinave, do të duhet ta disiplinojmë shpërdorimin e ujit. Uji është mall komercial, jo mall politik; shpeshherë në rajonin tonë kjo është ngatërruar. Është trajtuar si një mall politik dhe shumë prej Ujësjellës-Kanalizimeve janë kthyer në ndërmarrje ku “parkohen” militantët, me një eficiencë shumë të ulët pune. Më vjen mirë që kjo ka nisur të ndryshojë”.

Kryebashkiaku Veliaj i bëri këto deklarata në Konferencën Ballkanike për ujin që u zhvillua në Tiranë ku ekspertë dhe politikëbërës nga shumë vende të Europës ndanë përvojat e tyre për zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori në rajonin tonë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!