“Furitë e Kuqe” përzënë “Gjelat”, Spanja “prenoton” një vend në finalen e Euro 2024

schedule22:56 - 9 Korrik, 2024

schedule 22:56 - 9 Korrik, 2024

Ishte padyshim një përballje e denjë për të përcaktuar finalistin e parë, të këtij super Kampionati Evropian të futbollit, mes Spanjën e Francën, që kanë prodhuar spektakël, në sy të 66 mijë tifozët e pranishëm, në “Allianz Arena”, me “Furitë e Kuqe”, spanjolle që arrijnë për herë të 5-të në finalen e një Evropiani, pas fitores së ngushtë, 2 me 1, ndaj “Gjelave” të Francës.

Pavarësisht rezutlati goli i parë i sfidës erdhi nga “Gjelat” francezë, me “yllin” e PSG, Randal Kolo Muani, i cili dërgon në rrjetë një krosim fantastik, të Kylian Mbappe, duke shënuar golin e parë, “të vërtetë” për francezët, në Euro 2024, vetëm 8 minuta pas nisjes së sfidës, ndaj Spanjës, megjithatë kundërpërgjigja ishte e shpejtë.

Fillimisht ishte një “perlë” e talentit 16 vjeçar, Lamine Yamal, i cili shënon golin e tij të parë në një Kampionat Evropian, në mënyrë më të mirë të mundshme, duke vendosur baraspeshën në Mynih, por edhe një rekord të ri, me “superyllin” e Barcelona, i cili bëhet golashënuesi më i ri i turneut, duke gjetur rrugën e rrjetës, në moshën 16 vjeç e 362 ditë, shumë më pak se zvicerani Johan Vonlanthen, i cili ishte 18 vjeç e 141 ditësh, ku tundi po rrjetën e Francës, në Euro 2004.

Për të siguruar avantazhin mendoi “fantazisti” i RB Leipzig, Dani Olmo, i cili vetëm pak minuta pas golit të Yamal shfrytëzon më së miri një aksion të shokëve të tij të skuadrës, duke goditur drejt portës së Maignan, nga brenda zonës franceze, mirëpo topi devijohet nga këmbët e Jules Kounde, duke përfunduar në portën e “Gjelave” e si rrjedhojë duke shkaktuar autogolin e 11-të në këtë edicion, të Evropianit e duke barazuar rekordin historik, të Euro 2021, por vetëm se 2 ndeshje më shpejt.

Ndryshe nga pjesa e parë, fraksioni i dytë i lojës rezultoi të ishte më i qetë, me ato të pakta raste, që erdhën nga “Gjelat” e Francës, por më kot pasi rezultati mbeti i pandryshuar, me djemtë e teknikun Luis de la Fuente, që siguruan një “biletë” për në finalen e madhe, të 14 korrikut, ku përballë tyre në “Olympiastadion” do të jetë fituesi i çiftit Angli-Holandë. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!