Është mbyllur java e 15-të në Superiore, një javë që pati zhvillime të shumta. Kjo javë nisi mbrëmjen e së premtes, me derbin e zjarrtë të kryeqytetit, Partizani-Tirana. Ky derbi u luajt në “Air Albania Stadium” dhe para fillimit të sfidës, ishte vetëm Tirana pa trajner. Por pas fitores 1-2 të bardhebluve, edhe “Demat e Kuq” kanë mbetur pa trajner, pasi Franco Lerda u shkarkua ditën e sotme.
Humbja ndaj Tiranës i kushtoi kreun e renditjes Partizanit. Fillimisht, ishte Laçi që shkatërroi 4-0 Luftëtarin dhe mori provizorisht kreun. Fitorja e kurbinasve “preu” një tjetër kokë, atë të trajnerit të gjirokastritëve, Giorgos Marantas. Strategu grek u shkarkua sot.
Kryesimi i Laçit nuk do të zgjaste shumë. Dy orë më vonë, Kukësi mposhti 4-0 ekipin e Teutës dhe mori kreun e renditjes, me dy pikë më shumë se kurbinasit e vendit të dytë. Edhe fitorja e Kukësit, bëri që një trajner tjetër i Superiores të shkarkohej. Bledi Shkëmbi dhe Teuta “u divorcuan”, çka e çoi numrin e trajnerëve të shkarkuar për ditën e sotme në tre. Tirana, Partizani, Luftëtari dhe Teuta janë pa trajnerë aktualisht, thuajse gjysma e ekipeve të Superiores./abcnews.al