Mario Gotze do të largohet nga Borussia Dortmund në fund të këtij sezoni. Fantazisti gjerman del lojtar i lirë dhe po shqyrton me kujdes ofertat që i kanë mbërritur. Serie A shihet si destinacioni i radhës, por Marc-Andre Ter Stegen e fton në Spanjë.
Portieri i Barcelonës thekson për Kicker se 27-vjeçari do të përshtatej mirë në futbollin iberik. Gotze është një futbollist teknik, cilësi tepër të nevojshme për të bërë mirë në La Liga.
“Gotze nuk do të kishte probleme të përshtatet me La Ligan. Mario është një lojtar me aftësi të mëdha në përdorimin e topit dhe mendoj se do të përshtatej për mrekulli me stilin e futbollit spanjoll.
Gjithsesi, nuk e di nëse transferimi këtu është një nga objektivat e tij. Ajo që ka rëndësi është fakti që ai po mendohet për të marrë vendimin më të mirë. Shpresoj që të jetë realisht i lumtur në aventurën e radhës“, deklaron portieri gjerman. /abcnews.al