Ftesa e munguar në kombëtare dhe komenti i Rejës, flet Endri Çekiçi

schedule23:08 - 6 Janar, 2020

schedule 23:08 - 6 Janar, 2020

16 ndeshje të luajtura, 8 gola të shënuar: Këto janë statistikat e Endri Çekiçit me skuadrën e Olimpija Ljubjanës në Slloveni. Në studion e “Pressing”, fantazisti kuqezi foli sa i mungesës së ftesës në kombëtare, si dhe nuk e fshehu zhgënjimin e tij.

KOMBËTARJA – “Të jem i sinqertë, unë e prisja një ftesë. Kur e shikon listën dhe nuk e sheh emrin tënd, rikthehesh të punosh edhe më fort që herën tjetër të jesh aty. Të them të drejtën, u mërzita disi. Unë nuk e kuptova shumë mirë, do të vazhdoj të punoj.

Sa i përket forcës fizike, po luaj minuta të plota te klubi im, po luaj në disa pozicione. Nuk di si ta shpjegoj këtë mungesën e forcës fizike. Klubi na jep të dhënat pas çdo ndeshje dhe unë jam ndër lojtarët që gjithmonë vrapoj më shumë. Ndoshta, duhet të vrapoj edhe më shumë (qesh)”.

TEUTA – “Dua të falënderoj trajnerin Magani që më dha mundësinë të luaj në moshën 16 vjeçare. Fati deshi që të largohesha nga Teuta pa luajtur shumë ndeshje. Dua të falënderoj edhe presidentin Hasanbelliu”.

E ARDHMJA – “Momentalisht, ka shumë zëra dhe interesime. Unë jam i fokusuar tek ekipi im. Nëse vjen një mundësi e mirë, pse jo. Trajneri i Olimpija më ka mbështetur, që kur erdhi më dha mundësinë të tregoj aftësitë e mia. Ai më ka ndihmuar që të jem edhe më i qetë psikologjikisht”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!