“Fshehu diçka që nuk e penalizonte”, KQZ mund të shpëtojë kryebashkiakun e Vorës

schedule15:16 - 29 Tetor, 2019

schedule 15:16 - 29 Tetor, 2019

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund ta shpëtojë Agim Kajmakun. Burimet i thanë ABC News  se anëtarët e KQZ-së janë të ndarë, dhe disa mendojnë që kryebashkiaku i Vorës duhet ta ruajë mandatin, pasi ka fshehur diçka, të cilën, po ta kishte deklaruar nuk do ta penalizonte. Vendimi është në dorë të Edi Ramës, pasi partia e tij ka shumicën në KQZ.

Nëse kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku do të kishte deklaruar se në vitin 2003 ishte ndaluar nga policia greke, tani, ai nuk do të rrezikonte mandatin. Pas vendimit të prokurorisë së përgjithshme, e cila vlerëson se Kajmaku ka fshehur ndalimin dhe procedimin në Greqi, KQZ, që në këtë rast luan rolin e gjykatës, ka 10 ditë kohë për të marrë vendimin.

Burimet i thanë ABC News, se 5 anëtarët e KQZ-së janë të ndarë. Disa mendojnë se Kajmakut duhet t’i ndërpritet mandati sepse ka gënjyer në formular, ndërsa të tjerët mendojnë se kryebashkiaku i Vorës duhet të ruajë mandatin, pasi ka fshehur diçka, të cilën, po ta deklaronte, nuk do ta penalizonte.

KQZ ka praktika të ndryshme për raste të ngjashme. Ajo ju ka hequr mandatin për mungesë sinqeriteti deputetëve Dashamir Tahiri, Shkëlqim Selami, Gledion Rehovica apo Aqif Rakipi. Nga ana tjetër, në raste të ngjashme, KQZ ka shpëtuar kryebashkiakët Adriatik Zotkaj apo Tërmet Peçi.

Vendimet në KQZ merren me 4 vota, aq sa e ka shumicën PS në këtë komision. E thënë ndryshe, Edi Rama ka në dorë të shpëtojë apo  të sakrifikojë Kajmakun e Vorës./ABC News Albania