Agjencia kufitare e BE-së, Frontex është akuzuar për veprime të paligjshme dhe shpesh të rrezikshme ndaj refugjatëve që tentojnë të kalojnë detin Egje.
Edhe pse në media janë publikuar video ku tregohet agresiviteti i forcave detare në Greqi, Frontex ka mohuar të ketë dijeni për këto veprime.
Një hetim i përbashkët nga 5 media së bashku dhe i mbështetur nga fondi i Gazetarisë Investigative për Evropën, pretendon se agjensia në vend që të raportoje shkeljet po bashkëpunon me autoritetet Greke duke dëbuar migrantët e padrejtësisht.
Provat, përfshirë video që tregojnë një anije Frontex që manovron në mënyrë të rrezikshme pranë një gomone të mbushur me njerëz, duket se kundërshtojnë agjencinë e BE.
Investigimi pretendon se dështimi i anijeve të Frontex për të shpëtuar njerëzit dhe mos raportimi i shkeljeve të të drejtave të njeriut nga sistemi i brendshëm i agjencisë nuk është i rastësishëm.
Hetuesit dokumentuan gjashtë raste kur agjencia ishte përfshirë drejtpërdrejt në një kthim mbrapa në Egje ose të paktën kishin bërë përpjekje për ti zmbrapsur.
Ndërsa për veprimet e mëtejshme që kryhen nga Frontex, gazetarët treguan se janë të paqarta pasi njësitë ajrore dhe detare të agjencisë në mënyrë rutinore fikin transponderët që raportojnë pozicionet e tyre tek gjurmuesit në dispozicion të publikut.
Frontex ka vendosur rreth 600 roje kufitare evropiane në Egje me anije, dronë, aeroplanë dhe mjete të vëzhgimit termik.
Por agjencia tha se ka parë vetëm një incident që nga tensionet e ngritura midis Greqisë dhe Turqisë në Mars të këtij viti.
Gjithashtu edhe Ministria greke për mbrojtjen, mohoi akuzat për një bashkëpunim të forcave Greke dhe atyre të agjencisë për të zmbrapsur emigrantët që vijnë nga Turqia.
Ndërsa dy burime nga Frontex që folën për investigimin thanë se agjencia punon në një “frymë miqësore” me autoritetet greke dhe sipas tyre kurrsesi nuk do të dëshmonin për veprimet e kryera.
Gjatë këtij viti agjencia është përballur disa herë me akuza të kësaj natyre pasi në media kanë qarkulluar video që dëshmojnë keqtrajtimin e refugjatëve të paligjshëm ndërsa agjencia jo vetëm nuk i ka raportuar koto shkelje por siç duket është pjesë e tyre./abcnews.al