Vrasja e 17-vjeçarit nga policia ka shkaktuar trazira të shumta në disa qytete të Francës. Protestuesit kanë djegur makina dhe janë përleshur me policinë, duke detyruar këta të fundit të përdorin gaz lotsjellës kundër protestuesve.
Macron ka dënuar veprimin e policisë duke e quajtur të pajustifikueshëm dhe ka bërë thirrje për qetësi ndërkohë nga ana tjetër ministri i brendshëm Gerald Darmanin ka deklaruar se 40 mijë policë do të vendosën në gatishmëri në të gjithë Francën nga frika e përshkallëzimit të protestave.
Ditën e djeshme u vendosën 9 mijë policë, megjithatë nuk pritet të shpallet gjendje e jashtëzakonshme.
Gjithashtu Darmanin tha se në përleshjet e mbrëmshme janë plagosur 170 oficerë dhe se janë arrestuar 180 persona.
“Kjo nuk ishte për një protestë të vogël. Bëhej fjalë për një grup të vogël njerëzish që vendosën të sulmojnë simbolet e republikës. Kur sulmoni shkollat ose qendrat e komunitetit ose bashkitë, ju sulmoni simbolet,” tha Darmanin, duke u zotuar të rivendosë drejtësinë, qetësinë dhe lirinë.
/abcnews.al