Frikë nga lufta tregtare/ Franca kërkon reforma ndërkombëtare

schedule19:05 - 30 Maj, 2018

schedule 19:05 - 30 Maj, 2018

Frika nga luftrat tregtare ka detyruar Francën që të kërkojë një reformim të sistemit tregtar global. Ndërkohë, Parisi zyrtar ka bashkuar forcat me Berlinin për t’i bërë ballë tarifave amerikane për produktet e importuara.

Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar të mërkurën se fuqitë e mëdha ekonomike duhet të reformojnë rregullat e tregtisë botërore, me qëllim shmangien e luftrave tregtare. Komentet e tij Macron i ka bërë gjatë punimeve të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim që po mbahet në Paris, në një kohë kur Europën e ndajnë më pak se dy ditë nga rritja e taksave për çelikun dhe aluminin e importuar në Shtetet e Bashkuara.

“Nevojitet një përditësim global i rregullave të konkurrencës”, ka deklaruar Macron, duke shtuar se, politikat proteksioniste që çojnë në marrjen e masave reciproke mund të nxjerrin rritjen globale nga binarët. Presidenti francez ka kërkuar që BE, Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Japonia të hartojnë një skemë për reformimin e Organizatës Botërore të Tregtisë, e cila duhet të jetë në kohë për samitin e ardhshëm G-20 që do të mbahet në fund të vitit në Argjentinë.

“Rregullat e reja duhet të jenë në koherencë me sfidat aktuale si çekuilibrimi i tregjeve, prona intelektuale, të drejtat sociale dhe mbrojtja nga klima”, ka thënë Macron.

Ndërsa ministri francez i Financave, Bruno Le Maire dhe homologu gjerman Peter Altmeier kanë deklaruar se Europa do të jetë e bashkuar dhe e vendosur përballë rritjes së taksave nga Shtetet e Bashkuara.

“Nuk do të pranojmë që Europa të dëmtohet nga tarifat për çelikun dhe aluminin”, kanë thënë ministrat. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!