Tërmeti, ndjenjat e përjetuara, futbolli i luajtur, Esat Mala dhe Romero. Franco Lerda nuk kursehet, flet për gjithçka rreth Partizanit të tij, që nuk ka përjetuar një moment të qetë për shkak të situatës që u krijua në vend nga tërmeti i 26 nëntorit. Stafi dhe futbollistët e kuq dolën edhe në terren, duke ndihmuar njerëzit e prekur nga tërmeti në Thumanë. Italiani rrëfen frikën e përjetuar dhe bie dakord me vendimin e Federatës për të shtyrë kampionatin.
TËRMETI – “Po jetojmë një situatë të rëndë dhe aspak të thjeshtë, sepse presioni dhe mendja e lojtarëve është tek ata njerëz të shkretë, që vuajtën këtë tërmet të tmerrshëm. Ne si klub dhe si skuadër jemi pranë tyre dhe shpresojmë që kjo situatë të kalojë, në mënyrë që gjendja të kthehet në normalitet. Kur rifilluam stërvitjen kishim shumë vështirësi. Askush nuk ishte mirë dhe askush nuk mendonte për futbollin”.
FRIKA E MADHE DHE MESAZHI – “Kurrë nuk e kam përjetuar një situatë të tillë. Dhe jo vetëm në aspektin profesional, por edhe atë njerëzor. Në planin personal nuk kisha pasur kurrë aq frikë sa mëngjesin e së martës. Shtëpitë dridheshin, ndaj kisha shumë frikë. Mesazhi? Ne si klub shkuam që të takonim njerëzit, të cilët e përjetuan më keq këtë katastrofë. U qëndruam dhe do t’u qëndrojmë pranë. Uroj që të bëjnë të njëjtën gjë të gjithë dhe t’iu vijnë në ndihmë”.
SHTYRJA E KAMPIONATIT – “Absolutisht që ishte një vendim i drejtë. Në këto ngjarje të jashtëzakonshme është e drejtë që të ndërpritet edhe kampionati. Jemi dakord me vendimin që u mor nga FSHF”.
BYLISI – “Do të luajmë ndaj një skuadre që është me meritë në vendin e tretë, pasi ka bërë një kampionat mjaft të mirë. E vlerësojmë në maksimum sepse është një ekip i fortë, pavarësisht se vjen pas dy humbjeve. Kjo e bën edhe më të vështirë këtë takim. Megjithatë, ne jemi Partizani dhe shkojmë për të marrë vetëm tri pikët. Derbi? Nuk e mendoj për momentin”.
MALA DHE ROMERO – “Mala nuk po stërvitet me ekipin për shkak të vendimit të klubit. Nuk mund të them se kur do të aktivizohet, pasi ende klubi mban në fuqi një vendim për të. Nëse klubi do të vendosë që ai të marrë pjesë në stërvitje, atëherë do të aktivizohet. Gjithsesi, ne kemi marrë masat për të bërë ndërhyrjet e nevojshme.
“Romero? Fakti që ai po stërvitet normalisht dhe nuk është i shpërqendruar, duke zbatuar udhëzimet që ne japim, nuk më shqetëson. Rëndësi ka që ai të jetë i qetë gjatë stërvitjes dhe të mos ndikohet nga problemet e jetës së tij private”, është shprehur Lerda në prononcimin e dhënë pas seancës së djeshme stërvitore, botuar sot në “Panorama Sport”. /abcnews.al