Frika nga “shtëpitë e barit” dhe parcelat, Nano urdhër kundër kanabisit, kontrolle në terren

schedule14:46 - 11 Shkurt, 2022

schedule 14:46 - 11 Shkurt, 2022

Muaji Shkurt dhe Mars është periudha kur trafikantët përgatisin mbjelljen e kanabisit me fara në kubikë e në ambiente të mbyllura. Për shkak se vitin e kaluar, një nga problematikat e hasura në polici ishte kultivimi i drogës në sera e godina të pabanuara, këtë të premte, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gledis Nano ka urdhëruar vartësit të nisin një operacion për kontrollin e territorit.

Në urdhrin që gazetarja e ABC, Xhensila Kodra, ka siguruar, thuhet se operacioni do të kryhet çdo ditë në të gjitha qarqet, nga ora 9:00 deri në orën 16:00.

Në terren do të dalin edhe punonjësit e sektorëve dhe seksioneve të tjera dhe jo vetëm ata të narkotikëve.

Sipas urdhrit, kontrollet do të zhvillohen në banesa, objekte të mbyllura, sera, depo, magazina, tunele, ish reparte ushtarake, ish depot e rezervave shtetërore, shtëpi të braktisura, stane e stalla. Për policinë këto ambiente shfrytëzohen individë apo grupe kriminale për kultivimin e bimëve narkotike apo përgatitjen e mbjelljes së fidanëve të drogës.

Për të mos dekonspiruar operacionin, Nano ka vendosur që kontrollet nuk do të kryhen nga oficerët e qarkut. Disa grupe të FNSH-së së Fierit do të shkojnë në Berat e Gjirokastër, në Lezhë do të ketë kontrolle nga efektivë të Shkodrës.

Në terren kanë dalë mbi 1800 efektivë të ndarë në mbi 400 grupe. Ndërsa operacionet në çdo qark mbikëqyren nga drejtues policie në Drejtorinë e Përgjithshme. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!