Frika në kohërat e Coronavirusit

schedule11:03 - 25 Shkurt, 2020

schedule 11:03 - 25 Shkurt, 2020

Fabrizio Bianchi, Liliana Cori

Së bashku me epideminë, frika përhapet dhe rritet pashmangshmërisht. Nuk është një risi, në të vërtetë është një konstante që ka të bëjë kryesisht me sëmundjet infektive, ndërsa është shumë e vogël në lidhje me sëmundjet jo ngjitëse. Arsyeja qëndron në teorinë e komunikimit të rrezikut, e gjendur në historinë e shëndetit publik, dhe konfirmohet edhe nga historia aktuale e COVID-19.

Në një mori ndërhyrjesh mediatike gjenden të gjithë përbërësit tipikë të epidemive: akuza, komplote, shfrytëzim, interesa të paqarta, pak njerëz që përpiqen të qetësojnë shumë dhe shumë që kërkojnë bashkëpunim dhe racionalitet përballë skenarëve kompleksë (që në një farë mënyre, askush nuk mund t’i dijë në mënyrë shteruese).

Rishfaqen frikëra të përjetuara edhe në të kaluarën e largët (murtaja), më të afërt (lija) dhe që nuk harrohen kurrë. Një nga një, shfaqen elementet që karakterizojnë perceptimin e rrezikut, të cilat duhet të konsiderohen për të menaxhuar komunikimin e rrezikut, në një mënyrë të vetëdijshme. Ato ju lejojnë të kuptoni ndryshimet midis sëmundjeve infektive dhe sëmundjeve jo ngjitëse.

Eshtë i dukshëm roli i shumë faktorëve social, kulturor dhe kontekstual që ndikojnë në perceptimin e rreziqeve. Siç shkruan Andrea Cerase në librin e tij “Rreziku dhe komunikimi. Teori, modele, probleme” (2017), “Rezultatet e tërësisë së studimeve kanë lejuar të nxirren në pah disa karakteristika kryesore për të shpjeguar perceptimin e rrezikut dhe ndikimin e tyre në vendim marrje: familjariteti, kontrollueshmëria, ekspozimi vullnetar, potenciali katastrofik, barazia, menjëhershmëria e rrezikut dhe nivelit të dijes”. Sipas kësaj qasjeje, perceptimi i rrezikut është gjykimi subjektiv që njerëzit zhvillojnë në lidhje me karakteristikat, ashpërsinë dhe mënyrën me të cilën menaxhohet rreziku. Një nga elementët kryesorë është ndjenja e zemërimit dhe indinjatës që provokon riskun, zemërimin, të lidhur rreptësisht me besimin tek njerëzit / organet e kontrollit dhe me familjaritetin e kontekstit. Risku propozohet si produkt rrezikut (hazard) dhe zemërimit.

Rreziku kuptohet si një vlerësim probabilistik (prodhuar midis probabilitetit të ngjarjes që ndodh dhe peshës së dëmit të mundshëm). Ky vlerësim i mundësive ndikohet nga zemërimi, një element kryesor për vlerësimin e rrezikut, i cili ka të bëjë me natyrën e rrezikut dhe menaxhimin e tij.

Po cilët janë elementët që rrisin dhe theksojnë frikën:

Vullnetshmëria: nëse rreziku është vullnetar, duket më i ulët, nëse imponohet nga të tjerët ose nuk keni mundësinë ta kontrolloni atë, ai perceptohet si më i madh. Eshtë e qartë se kjo e COVID-19, si të gjitha epidemitë, është jo vetëm e pavullnetshme, por dukshëm e pakontrollueshme nga individët, dhe duket se është e vështirë të kontrollohet edhe nga autoritetet.

Dija: Një rrezik i ri është më i frikshëm, dhe ai i këtyre kohëve del në si një virus plotësisht i panjohur dhe pa antiviralë. Një rrezik nga shkaqet natyrore është më pak i frikshëm se ai i shkaktuar nga dikush, dhe teoritë e komplotit rrisin ndjenjën e shqetësimit. Një rrezik që zhbëhet shkakton më pak frikë nga një rrezik që nuk zhbëhet, dhe nëse ekziston një rrezik, por ka përparësi, ai gjithashtu mund të jetë i pranueshëm. Por në këtë rast shohim se si të gjithë kanë disavantazhe dhe frika nga vdekja, për të cilën vazhdimisht këmbëngulet, qëndron varur mbi të gjithë të infektuarit (pavarësisht nga shkalla e vdekshmërisë).

Besimi: nëse keni besim tek ata që menaxhojnë rrezikun, nuk e perceptoni si të lartë. Por në këtë rast dalin dhe flasin shumë zëra, madje edhe në një mënyrë oportuniste, për të minuar besueshmërinë e institucioneve shëndetësore. Dhe pasi të kemi humbur besimin, është shumë e vështirë ta rigjejmë atë. Divergjencat në botën shkencore në një situatë emergjente mund të jenë shkatërrimtare, sepse ato imponojnë zgjedhje në terren, në vend që të rritin dijet dhe besimin.

Eshtë e kuptueshme pse vëmendja që i kushtohet evolucionit të kësaj epidemie nuk është e krahasueshme me atë që i kushtohet sëmundjeve jo të transmetueshme, veçanërisht ato të shkaktuara nga ndotja e mjedisit.

Elementi i parë i dallimit është se frika për sëmundje me një mekanizëm përcaktues, domethënë me transmetim të drejtpërdrejtë (kontakti përcakton infeksionin), është shumë e ndryshme nga frika për sëmundjet me një mekanizëm probabilistik, në të cilin një ekspozim (ndaj ndotjes) korrespondon me një rritje probabiliteti për t’u sëmurë. Në terma më zyrtarë, sëmundjet infektive kanë një shkak të vetëm të domosdoshëm ndërsa sëmundjet jo ngjitëse kanë shkaqe të shumta (rrjeti i shkaqeve), që zakonisht nuk janë as të nevojshme dhe as të mjaftueshme.

COVID-19 nuk bën përjashtim nga e gjithë kjo. Frika është e natyrshme në karakteristikat e tij dhe nuk është plotësisht e menaxhueshme, aq më pak me referenca gjenerike për të mbizotëruar frikën, pasi një tepricë e shqetësimit publik për menaxhimin e një problemi kaq kompleks, nuk mund të shmanget.

Në emër të detyrës për të informuar dhe të drejtës për të ditur, të gjitha mediat dhe media sociale ofrojnë përditësime direkte për numrin e të infektuarve dhe çdo vdekje të re, shoqëruar me numrin e qytetarëve që i nënshtrohen masave të kontrollit. Çdo vdekje merr peshë të madhe dhe rrit frikën dhe hutimin.

Në realitet, OBSH nxjerr raporte të përditshme me nivelin e nevojshëm të detajeve për të vlerësuar jo vetëm shtrirjen e përgjithshme të fenomenit, por edhe përparimin e tij.

Këto raporte tregojnë popullsinë rezidente, numrin e rasteve të konfirmuara (sipas përcaktimit të OBSH) në ditë dhe të akumuluara, numrin e vdekjeve në ditë dhe vdekshmërinë e akumuluar në ditë, si dhe informacione të tjera, përfshirë rastet e dyshuara dhe kurbën e trendit të epidemisë. Shkalla e llogaritshme e vdekshmërisë, duke përdorur jo raste të sëmura, por të gjitha rastet e infektuara si emërues (të cilët, për fat të mirë, janë ose do të sëmuren pjesërisht), jep informacion interesant për periudhat e ndryshme kohore të epidemive në Kinë dhe në vendet e tjera.

Që nga 23 shkurti, shkalla e vdekshmërisë në Kinë është rreth 3.2% ndërsa në vendet e tjera është rreth 1%. Në Itali, duke pasur parasysh faktin se epidemia është në rritje, shkalla e vdekshmërisë ndryshon midis 2% dhe 3%, por vëmendja është fokusuar vetëm në shtimin e të infektuarve dhe të vdekurve: numra absolutë shumë të vegjël, por që prodhojnë një frikë shumë të madhe.

Në këtë mënyrë, aktivizohet një valle makabër informacioni që nuk gjendet në asnjë fushë tjetër të shëndetit.

Nuk ndodh për gripërat “normale”, të cilat shkaktojnë mbi 6,000 vdekje nga shkaqe direkte dhe indirekte. Kjo është një shkallë vdekshmërie prej rreth 1 në 1.000 e cila, pavarësisht se është shumë më e ulët se ajo e COVID-19, duke marrë parasysh numrin shumë të lartë të të infektuarve, prodhon një numër të konsiderueshëm të vdekjeve.

Asnjë krahasim nuk bëhet me vdekjet për shkak të ndotjes së ajrit, më shumë se 100 në ditë në Itali (sipas vlerësimeve më konservatore) ose dyfishi sipas vlerësimeve të Agjencisë Evropiane të Mjedisit, por të cilave u kushtohet më pak vëmendje, sepse ato konsiderohen gabimisht rastësore.

Kështu që, thithja me frymëmarrje ose gëlltitja e një virusi të rrezikshëm, siç është COVID-19, ngjall një frikë të ndryshme dhe zakonisht më të madhe sesa thithja me frymëmarrje ose gëlltitja e një grimce ultrafine, të ngarkuar me substanca kancerogjene.

Një element tjetër që dallon sëmundjet infektive nga ato jo të transmetueshme është mundësia e përmbajtjes së problemit: nga njëra anë izolimi, mbyllja e zonave dhe funksioneve për të parandaluar njerëzit nga transmetimi i virusit, nga ana tjetër veprimet për të ulur ekspozimin ndaj ndotësve të kudogjendur, me debate të zjarrta për efektivitetin e masave (p.sh. debat për ndalimin e makinave euro x).

Kombinimi i mënyrës së transmetimit, mekanizmit të gjenerimit të sëmundjeve, menaxhimit të riskut dhe frikës së brendshme tejkalon masën e ndikimit në shëndet.

Kjo është një frikë shumë e ndryshme nga ajo që parashikoi Hans Jonas, sipas të cilit përgjegjësia ndaj së ardhmes nënkupton një “frikë të deduktuar”, një frikë që do të rikuperohej nga bagazhi ynë biologjik, për të mësuar se si ta përdorim atë si mjet që na çon drejt maturisë. / Scienza in Rete – Bota.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!