Francezët në protestë kundër reformës së pensioneve për të tretën ditë radhazi

schedule13:57 - 7 Shkurt, 2023

schedule 13:57 - 7 Shkurt, 2023

Presidenti Emmanuel Macron  dhe qeveria e tij sot po përballen me valën e tretë të grevave dhe demonstratave mbarëkombëtare në Francë kundër një propozimi të qeverisë për të rritur moshën minimale të pensionit  nga 62 në 64 vjeç, ndërsa projektligji filloi të diskutohej në parlament.

Qindra mijëra njerëz pritej të merrnin pjesë në më shumë se 200 demonstrata në rrugë në të gjithë Francën sot. Për shkak të bllokimit të rrugëve, do të pezullohet shërbimi i transportit publik, si ai urban dhe ajror.

Po ashtu, do të mbyllen dhe disa shkolla, pasi një pjesë e mësuesve janë në grevë, të cilët po mbështeten dhe nga shumë studentë. Sondazhet vazhdojnë të tregojnë se shumica e francezëve nuk e miratojnë planin e Macron për të rritur moshën e daljes në pension nga 62 në 64 vjeç.

Mosha aktuale e daljes në pension në shumicën e vendeve të BE është 62 vjeç. Qeveria vlerëson se do të ketë një përfitim prej 17.7 miliardë euro deri në vitin 2030 falë kësaj reforme.

Megjithatë, sindikatat dhe partitë e majta argumentojnë se këto para mund të sigurohen nga burime të tjera, kryesisht nga të pasurit.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!