Francesco Totti largohet të hënën nga Roma

schedule21:45 - 15 Qershor, 2019

schedule 21:45 - 15 Qershor, 2019

Francesco Totti do të largohet nga Roma në fillim të javës së ardhshme. Një lamtumirë e hidhur për një nga legjendat më të mëdha të futbollit italian

As mund të mendohej që kjo dashuri të përfundonte.

Francesco Totti vërtet i dha fund karrierës si futbollist tek Roma, veçse një nga historitë më të mëdha të futbollit vazhdoi në një mënyrë tjetër, në rolin e drejtuesit.

Gjithsesi, duket se çifti ndoshta më i shquar i këtij sporti në të gjithë botën, pra çifti Toti-Roma, do të ndahet.

Gazeta e kryeqytetit, “Il Mesaxhero”, njofton se Totti tashmë e ka marrë vendimin e tij, dhe se ai do të thotë “lamtumirë” ditën e hënë.

Pasi vari këpucët në gozhdë, 42-vjeçari u bë drejtues në klubin e tij të zemrës, ku kaloi gjithë karrierën.

Gjithsesi, javët e fundit pati një krisje të fortë, pasi u dyshua se presidenti Palota nuk po e respektonte Totti si drejtues, duke i marrë vendimet pa u këshilluar edhe me të.

Po ashtu, bënë bujë thashethemet se legjenda tjetër romane, Daniele De Rosi, kishte kërkuar që Toti të largohej nga klubi.

Vetë ish-kapiteni nuk ngurroi të reagonte dy ditë më parë.

“Në këto momente po thuhen dhe shkruhen shumë gjëra, duke u përpjekur të gjejnë mendimet dhe vendimet e mia, – shkruajti ai në faqen e tij në Instagram, – shpejt do të mësohet mendimi im, në vendin e duhur”.

Vendimi i pritshëm i largimit do të jetë një tjetër goditje për tifozët, të cilët e kanë adhuruar si askënd tjetër në historinë e Romës.

Françesko Totti e kaloi gjithë karrierën me fanellën verdhekuqe, edhe pse u kërkua nga Reali i Madridit, Milani apo Mançester Junajtidi, duke humbur mundësinë për të fituar më shumë trofe apo edhe Topin e Artë.

Ai fitoi vetëm 1 titull kampion në Itali, dy Kupa të Italisë dhe dy Superkupa të Italisë, ndërsa mban shumë rekorde të Romës./ABC News Albania 24/7

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!