Në mbarë Francën u mbajtën të shtunën protesta kundër rritjes së çmimit të karburanteve. Gjatë manifestimeve një person humbi jetën ndërsa shumë të tjerë mbetën të plagosur. Në reagimin e tij, presidenti Makron e cilësoi protestën të stisur nga opozita për të bllokuar reformat.
Një person ka vdekur dhe shumë të tjerë janë plagosur në një seri protestash të mbajtura të shtunën në Francë kundër rritjes së çmimit të karburanteve. Një grua u godit nga një automjet pasi shoferi, i rrethuar nga manifestuesit u tremb dhe i dha gaz në përpjekje për t’u larguar. Rreth 120 mijë “jelekë të verdhë”, të quajtur kështu për shkak të bluzës fosforeshente që mbanin veshur, dolën në protestë në 2 mijë lokalitete të Francës. Ata akuzuan presidentin Emanuel Makron se ka braktisur njerëzit në nevojë. Nga ana e tij, kreu i shtetit nuk iu përgjig komenteve të protestuesve, disa prej të cilëve bënë thirrje për dorëheqje, por akuzoi kundërshtarët politikë për “pengmarrje të protestës”, me qëllim bllokimin e programit të tij të reformave.
Shantal Mazet, 63 vjeçe, humbi jetën në rajonin jug-lindor të Savojës, kur drejtuesja e mjetit, e cila po çonte vajzën e saj në spital, u rrethua nga 50 protestues dhe në gjendje paniku shkeli pedalin e gazit në përpjekje për të përçarë turmën, që godiste me duar automjetin e saj. Duke reaguar, ministri i Brendshëm francez, Kristof Kastaner u shpreh se kauza e protestës dështon nëse ajo merr jetë njerëzish. Ndërkohë, në zona të tjera të Francës persona të shumtë mbetën të plagosur në rrethana të ngjashme, me shoferët që janë përpjekur të përçajnë turmën. Në disa raste policia përdori gaz lotësjellës ndaj protestuesve dhe në rajone të ndryshme të vendit arrestoi 17 prej tyre.