Francë-Shqipëri tashmë një klasike

schedule17:05 - 7 Shtator, 2019

schedule 17:05 - 7 Shtator, 2019

Duelet mes Francës dhe Shqipërisë janë të shpeshtë në 30 vjetët e fundit. Që nga nëntori I 1990-ës e deri në Euro 2016, ndryshimi është i madh, në favor të shqiptarëve.

Ishin kohë të tilla, kur u vumë përballë për herë të parë. Franca kishte qenë një mirazh për Shqipërinë, pavarësisht marrëdhënieve të veçanta të sistemit të dikurshëm, ndërsa vizita debutuese e “gjelave” të famshëm u bë vetëm pak muaj pas hyrjes së 5 000 shqiptarëve në ambasada në 2 korrik 1990.

Me të madhin Mishel Platini në stol, blutë fituan 1-0 në “Qemal Stafa”, falë golit të mbrojtësit të Marsejës, Bazil Boli. Kur kombëtarja shqiptare vizitoi Parisin, nuk mund të kishte duel, pasi mendja ishte për t’u larguar, siç bëri Rudi Vata e të tjerë.

Franca triumfoi 5-0 në ndeshjen më të dobët të kuqezinjve ndaj saj. U desh të kalonin 20 vjet që përfaqësuesja e shquar, që ishte bërë ndërkaq edhe kampione e botës, të vizitonte për të dytën herë Tiranën.

Federata Franceze i botoi atëherë pamjet e udhëtimit ajror të lojtarëve të saj drejt Rinasit, si dhe një përmbledhje të stërvitjes së tyre në “Qemal Stafën”, që sot nuk ekziston më.

Këtë herë, sfida ishte e fortë, edhe pse fituesi mbeti i njëjti. Franca triumfoi 2-1, edhe duke mos qenë në ditët e saj më të mira, ndërsa përfaqësueses sonë nuk i mjaftoi goli i Erion Bogdanit, dhe as entuziazmi i mijëra tifozëve në stadium.

Ishte sërish e frikshme të shkoje në Paris, dhe mesazhi u mor i plotë. Vendasit ia dolën 3-0, me shumë lehtësi, në një nga ndeshjet e fundit të trajnerit të ndjerë kroat, Josip Kuzhe, në stolin tonë, që në dhjetor do të zëvendësohej nga Xhani De Biazi.

Me italianin nis ndryshimi, ajo epokë që sot e bën ndeshjen më pak të pabarabartë sesa do të kishte qenë 10 vjet më parë. Patëm tri sfida, dy në 2014 e 2015, që ishin miqësore, sepse francezët ishin organizatorë të finaleve të kampionatit europian.

Që në seancën stërvitore në 2014 sikur u duk ndryshimi. Rezultatet ishin madhështore, barazim 1-1 në Renë me gol të shënuar nga Mavraj, si dhe triumf në “Elbasan Arena” me goditjen e dënimit të Ergys Kaçes.

Kulmi ishte dyluftimi në fazën finale të Euro 2016-ës, në ndeshjen e dytë të grupit, ku Lorik Cana nuk mundi të ishte në një ndeshje të jetës, pas kartonit të kuq marrë me Zvicrën.

Kuqezinjtë ishin pranë një rezultati tjetër historik në “Stad dë Frans”, por siç u ka ndodhur në thuajse çdo ndeshje të madhe, gabuan në minutat e fundit. Antuan Grizman dhe Dmitri Paje shënuan për Francën. Shpresa është që sonte të paktën të jepi po kaq dinjitozë në Paris./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!