Edhe qeveria franceze është përfshirë në vorbullën e akuzave për abuzime seksuale. Këtë të enjte ministri i Ambientit mohoi të ketë kryer ngacmime, ndërkohë, që një kolegu i tij po hetohet për përdhunim.
Një anëtar i kabinetit të presidentit francez, Emmanuel Macron, ka hedhur poshtë zërat për ngacmime seksuale, dy javë pasi një tjetër anëtar i ekipit ishte akuzuar për përdhunim. Ministri i Ambientit, Nicolas Hulot, një nga njerëzit më të afërt të Macron, ka mohuar të ketë kryer krime të këtij lloji.
Kryeministri Edouard Philippe i ka ofruar atij mbështetje, duke deklaruar se nuk ka asnjë arsye për të vënë në dyshim fjalët e tij. Philippe ka thënë se kolegu nuk ka pse të japë dorëheqjen, pasi nuk ndodhet nën një hetim gjyqësor. Nga ana e tij, ministri i Ambientit ka përgënjeshtruar lajmet se akuza në dëm të tij kishte ardhur nga një ish-kolege.
“Gjëja më e keqe në këtë mesele është se ajo është pyetur nga mediat dhe ka dhënë të njëjtën përgjigje sikurse dhe unë”, ka thënë Hulot. Dhe në fakt, kolegia në fjalë ka mohuar të ketë ndodhur një akt i tillë.
“Unë nuk kam asnjë koment për një çështje që nuk ekziston”, ka thënë ajo për mediat franceze. Ndërkohë, muajin e kaluar, prokurorët rihapën një hetim për përdhunim ndaj ministrit të Ekonomisë, Gerald Darmanin, i bërë nga një grua./abcnews.al