Francë-Kroaci, “Gjelat” nuk kanë humbur asnjëherë

schedule14:15 - 15 Korrik, 2018

schedule 14:15 - 15 Korrik, 2018

Finalistet e sotme të Botërorit kanë luajtur pesë herë në të kaluarën me njëra-tjetrën. Skuadra favorite për të marrë titullin, ka bilanc më pozitiv.

Franca dhe Kroacia synojnë fitore në finalen e Botërorit, por si janë ndarë në të kaluarën? Dy skuadrat kanë luajtur përballë njëra-tjetrës 5 herë, dhe epërsia është me francezët.

Të mbiquajturit “gjelat” kanë fituar tri herë, ndërsa dy takime të tjera janë mbyllur në barazim. Kroacia, pra, do të kërkojë fitoren e parë në histori, kur dy ekipet të ndeshen në finalen e Moskës.

Historia nisi relativisht vonë, në 1998-n, në gjysmëfinalen aq shumë të famshme të Kupës së Botës në Francë. Edhe pse kroatët kaluan në epërsi me anë të Davor Shukerit, vendasit ia dolën të fitonin.

Autor i dy golave ishte një mbrojtës, Liliam Thuram, ashtu siç ishte një mbrojtjes, Samuel Umtiti, autor i golit të fitores ndaj Belgjikës, në gjysmëfinalen e tanishme.

Në nëntor 1999, Franca triumfoi 3-0 në “Stade de France”, ndërsa në Maj të vitit 2000, në prag të Europianit, francezët ia dolën edhe një herë tjetër, 2-0 në stadiumin “Maksimir” të Zagrebit.

Ishin vitet e dominimit francez në futbollin botëror. Dy përballjet e fundit janë mbyllur në barazim. Dy me dy në Qershor 2004, në finalet e Europianit në Portugali, dhe 0-0 në  miqësoren e luajtur në 2011, në Paris. Franca dhe Kroacia ndeshen pra pas plot 7 vjetësh./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!