Anarkistët e ekstremit të majtë në Francë kanë krijuar kaos gjatë marshimit tradicional të 1 Majit. Ata kanë hedhur gurë dhe bomba molotov ndaj dyqaneve dhe u kanë vënë zjarrin makinave. Duke reaguar ndaj dhunës, policia ka arrestuar rreth 200 persona.
Policia franceze ka përdorur gaz lotësjellës dhe topa uji për të shpërndarë turmën e protestuesve të mbledhur me rastin e ditës së 1 Majit, mes të cilëve kishte edhe shumë anarkistë. Aktet e dhunës në Paris u verifikuan në një kohë kur sindikatat kundërshtojnë reformat e presidentit Emmanuel Macron për stimulimin e ekonomisë, që parashikojnë ndryshime në kodin e punës. Autoritetet kishin paralajmëruar që të hënën rrezikun për përplasje me grupin anarkist të ekstremit të majtë, të njohur si “kapuçët e zinj”, pas një apeli të bërë prej tij në rrjetet sociale për ta kthyer 1 Majin në ditën e revolucionit. Zyrtarë të policisë kanë deklaruar se rreth 1.200 persona të maskuar dhe me kapuçë u shfaqën gjatë manifestimit të Ditës së Punës. Mbi 200 prej tyre u arrestuan, ndërsa 4 vetë, përfshirë një oficer policie, mbetën të plagosur. Anarkistët thyen vitrinat e bizneseve, plaçkitën dyqane dhe u vunë flakën makinave në zonën lindore të Parisit. Zëdhënësi i qeverisë ka kritikuar ashpër protestuesit që kishin mbuluar fytyrën. “Nëse bindjet tuaja janë të sinqerta, atëherë tregojeni fytyrën kur protestoni. Ata që mbajnë maska janë armiq të demokracisë”, ka deklaruar zëdhënësi. /abcnews.al