Francë, gjendet një pjesë e bizhuterive të grabitura në një hotel në Paris

schedule21:53 - 11 Janar, 2018

schedule 21:53 - 11 Janar, 2018

Autoritetet kanë rikuperuar një pjesë të bizhuterive të grabitura në një dyqan luksoz të një hoteli në qendër të Parisit. Policia është ende në kërkim të dy hajdutëve, ndërsa 3 të tjerë që u arrestuan në vendngjarje janë marrë në pyetje. Sendet e grabitura kapin një vlerë prej rreth 4 milionë euro.

Një pjesë e sendeve të grabitjes së kryer të mërkurën në argjendarinë e “Hotel Ritz” u gjetën në qendër të Parisit. Bizuhteritë u rikuperuan në kohën e arrestimit të tre prej pesë burrave të bandës së armatosur. Një nga dy hajdutët në arrati gjithashtu ka humbur një qese që përmban bizhuteri, të cilën ia kishin dhënë tre bashkëpunëtorët.
Ata fillimisht kishin thyer xhamin e dyqanit luksoz në kryeqytetin francez duke përdorur disa sëpata.

Sipas rindërtimit të skenës së krimit nga hetuesit, 3 persona kishin hyrë nga pjesa e xhamit të thyer dhe jo nga hyrja kryesore e pallatit “Vendome”, ndërsa dy të tjerët prisnin jashtë. Në momentin e arratisjes, 3 hajdutët që ishin brenda argjendarisë tentuan të dilnin por pjesa e xhamit të thyer ishte e bllokuar. Në këtë mënyrë ata, kanë lëshuar bizhuteritë e grabitura tek dy personat që prisnin jashtë. Më pas përfunduan në prangat e policisë.

Ndërsa, dy personat e tjerë janë arratisur, njëri me makinë dhe tjetri me motor. Gjatë tentativës, ky i fundit ka humbur çantën me bizhuteri. Mediat shkruajnë se sendet e vjedhura kapin vlerën e rreth 4 milonë euro. Ndërkohë, 3 të arrestuarit janë marrë në pyetje nga policia franceze. Ndërsa vazhdojnë kërkimet për 2 të tjerët./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!