Franca: Rusia kërkon të manipulojë influencerët në Evropë

schedule21:48 - 18 Dhjetor, 2024

schedule 21:48 - 18 Dhjetor, 2024

Franca akuzoi Rusinë se kërkon të manipulojë shumë influencerë francezë dhe evropianë të mediave sociale duke thënë se Moska po përdor taktika të ndryshme dhe me zhvillim të shpejtë të ndërhyrjeve digjitale.

Shqetësimi për përhapjen e supozuar të dezinformatave nga Rusia është rritur që nga fushata zgjedhore e vitit 2016 në SHBA, që pa Donald Trump të fitojë Shtëpinë e Bardhë për herë të parë dhe është intensifikuar vetëm pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.

“Ne kemi prova që konfirmojnë se Rusia po përpiqet gjithashtu të manipulojë ndikuesit në vendet evropiane, duke përfshirë Francën’’, theksoi ministri i Jashtëm Jean-Noel Barrot.

E përditshmja ‘’Le Monde’’ raportoi më herët se mijëra influencerë, përfshirë në Francë, ishin afruar nga individë të afërt me Kremlinin për të përhapur propagandë pro ruse. Barrot tha se ‘’Franca është në shënjestër të disa llojeve të ndërhyrjeve të huaja digjitale”.

“Metodat e funksionimit të vendosura janë të ndryshme dhe ato evoluojnë shpesh,” tha ai, duke treguar zgjedhjet e fundit në Moldavi dhe Rumani, të cilat ai tha se ilustrojnë “përdorimin masiv të ndikuesve në rrjetet sociale”, veçanërisht në X, për të prishur votimin.

Presidentja pro evropiane Maia Sandu fitoi zgjedhjet e nëntorit në Moldavi kundër një sfide nga një rival pro Moskës.

Por, në Rumani, kandidati i ekstremit të djathtë Calin Georgescu kryesoi papritur raundin e parë të votimit në zgjedhjet presidenciale.

Gjykata Kushtetuese rumune anuloi më vonë procesin zgjedhor duke vendosur se ai ishte i dëmtuar “nga parregullsi të shumta”.

BE deklaroi se kishte hapur një hetim zyrtar ndaj TikTok pas akuzave se platforma ishte përdorur nga Rusia për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve në Rumani.

”Le Monde” citoi një burim brenda shërbimeve sekrete franceze të thoshte se më shumë se 2 000 influencerë evropianë janë kontaktuar nga Moska.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!