Franca përkujton Ditën e Bastijes

schedule18:22 - 14 Korrik, 2019

schedule 18:22 - 14 Korrik, 2019

Në Francë është përkujtuar të dielën Dita e Bastijës, një nga momentet kulmore të revolucionit francez. Këtë vit në paradën ushtarake kanë marrë pjesë edhe trupa të huaja për të treguar unitetin e bllokut europian. Në fjalimin e mbajtur, presidenti Macron tha se synimi i tij është ndërtimi i një Europe të sigurtë.

Liderët europianë, përfshirë kancelaren gjermane Angela Merkel u bashkuan të dielën me presidentin francez Emmanuel Macron për paradën e Ditës së Bastijës, që këtë vit nderoi bashkëpunimin ushtarak europian.

Pasi përshkoi bulevardin ikonë Champs-Elisee në bordin e një automjeti ushtarak të shoqëruar nga motoçikletat dhe trupat ushtarake, Macron u bashkua me liderët e huaj, me të cilët ndoqi paradën tradicionale, që këtë vit nisi me prezantimin e mjeteve teknologjike.

Mes objekteve të prezantuara kishte dronë, automjete autonome në miniaturë, ushtarë të armatosur me armë anti-dronë dhe një ushtar fluturues, siç ishte rasti i një efektivi që u ngjit në ajër me një mjet të vendosur tek këmbët.

Rreth 4 mijë e 300 ushtarë, rreth 200 automjete dhe mbi 100 mjete ajrore morën pjesë në paradën që këtë vit u hap nga trupat spanjolle. Në fjalën e tij drejtuar popullit francez, Macron e vuri theksin tek zotimi i parevokueshëm i Francës për të konsoliduar sigurinë franceze dhe atë europiane.

“Europa sot është më e nevojshme se kurrë më parë. Ndërtimi i një Europe të mbrojtur me Aleancën e Atlantikut të Veriut është prioritet i Francës dhe tema e kësaj parade”, deklaroi Macron.

14 Korriku përkujton bastisjen e burgut të Bastijës në vitin 1789, që është dhe një nga momentet kyçe të Revolucionit Francez, e kthyer në ditë pushimi kombëtar në Francë./ABC News Albania 24/7